AKTUALITET /

RSF: Gazetarët në Shqipëri vijojnë të jenë nën presion, qeveria nuk ka mbajtur premtimet

Drejtori i zyrës së RSF-së për Evropën Qendrore dhe Ballkanin, Pavol Szalai, deklaroi se pavarësisht krijimit të Platformës për Dialog me Median, progresi në mbrojtjen e lirisë së shtypit ka qenë i kufizuar dhe gazetarët vazhdojnë të përballen me presione nga politika, pronarët e mediave dhe krimi i organizuar

Shkruar nga Versus

RSF: Gazetarët në Shqipëri vijojnë të jenë

Organizata ndërkombëtare për lirinë e medias, Reporters Without Borders (RSF), ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që të ndërmarrin hapa konkretë për dekriminalizimin e plotë të veprave penale të shpifjes dhe fyerjes, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, në një kohë kur Shqipëria synon anëtarësimin në BE.

Gjatë një misioni për lirinë e medias në Tiranë, të zhvilluar nga 17 deri më 19 qershor, përfaqësuesit e RSF-së dëshmuan para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mediat, si dhe zhvilluan takime me përfaqësues të qeverisë shqiptare.

Vizita u zhvillua pas publikimit të Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit 2026, ku Shqipëria zbriti me tre vende, duke u renditur në vendin e 83-të nga 180 shtete.

Drejtori i zyrës së RSF-së për Evropën Qendrore dhe Ballkanin, Pavol Szalai, deklaroi se pavarësisht krijimit të Platformës për Dialog me Median, progresi në mbrojtjen e lirisë së shtypit ka qenë i kufizuar dhe gazetarët vazhdojnë të përballen me presione nga politika, pronarët e mediave dhe krimi i organizuar.

“Besimi mes gazetarëve dhe institucioneve mbetet i brishtë. Ai është dëmtuar pasi Kuvendi miratoi vetëm një dekriminalizim të pjesshëm të shpifjes, në kundërshtim me dakordësinë e arritur në Platformë”, u shpreh Szalai.

Sipas RSF-së, ndryshimet në Kodin Penal të miratuara në janar 2026 hoqën përgjegjësinë penale vetëm për një kategori të kufizuar gazetarësh, ndërsa mbeten ende boshllëqe ligjore për mbrojtjen e burimeve gazetareske, sinjalizuesve dhe përballimin e padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).

Organizata i bëri thirrje autoriteteve shqiptare të përmbushin angazhimet e marra dhe të garantojnë një mjedis më të sigurt dhe më të lirë për ushtrimin e profesionit të gazetarit.Versus.al

Poll