
Mes mijëra qytetarëve të mbledhur në protestën e 26-të para Kryeministrisë, vëmendjen e tërhoqën pankartat me mesazhe ironike, kritika politike dhe thirrje të drejtpërdrejta drejtuar qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Një nga mesazhet më të spikatura ishte: “Na keni thënë: ‘S’ka alternativë’. Ne po ju themi: ‘S’ka durim më!’”, pankartë që u shoqërua me duartrokitje dhe brohoritje nga pjesëmarrësit në protestë.
Protestuesit ironizuan edhe aktivitetin e kryeministrit në rrjetet sociale, pas vendimit të tij për të vendosur flamingot si foto profili në Facebook. “Ne flasim për hallet. Rama poston flamingo. Realiteti nuk fshihet me kartolina”, shkruhej në një prej pankartave që u bë objekt komentesh gjatë tubimit.
Mesazhet nuk kursyen as procesin e integrimit europian. “Nuk shkohet në Europë me hajdut!” dhe “O Ramë, në Europë nuk shkohet duke u sjellë si Putin, Xi dhe Erdoğan”, ishin disa nga sloganet që protestuesit ngritën mbi turmën.
Në pankarta të tjera u denoncuan, sipas protestuesve, problemet e qeverisjes dhe korrupsioni. “Imazhin e Shqipërisë nuk e prish populli, por lubitë që e zhvasin!”, lexohej në një prej mesazheve më të fotografuara të mbrëmjes.
Pas përfundimit të fjalimeve dhe leximit të kërkesave të protestës, qytetarët nisën marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke vijuar thirrjet për ndryshim politik, dorëheqjen e kryeministrit dhe plotësimin e kërkesave të artikuluara prej javësh në shesh.

