
Imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv i dioqezës Tiranë-Durrës ka reaguar për miratimin e ligjit për gjinitë në Kuvendin e Shqipërisë të enjten e kaluar pas një seance maratonë.
Ndërsa foli për rrezikun e madh që përmban kultura e njohur gjerësisht me emërtimin “WOKE”, Arjan Dodaj kritikoi mungesën e reagimit në shoqëri për diçka që mund të jetë shkatërrimtare për kulturën shqiptare.
“Sot, në kulturën tonë shqiptare të fjetur e të nënshtruar nga ideologji, e kushtëzuar nga lobet e huaja që e trajtojnë jo vetëm Tempullin por edhe vendin tonë si pazar, ne nuk jemi të vetëdijshëm që është e vdekur forca e reagimit në kulturën shqiptare. Ku nuk u ngju nji reagim ma i fortë i ndërgjegjeve përballë rrëmbimit dhe të atyre pak shpresave që kanë ngelur në vendin tonë, sepse të rinjtë e kanë humbur shpresën dhe e kanë braktisur vendin. Por sot rrezikojmë t’iua vjedhim edhe atyre të rinjve që Zoti në provaninë e Tij, akoma ndoshta donte ti dhuronte këtij kombi”- u shpreh ai.
Ai tha se ndërsa në vendet perëndimore po prganizohen reagime, në Shqipëri askush nuk reagon më. Një kritikë të fortë e pati edhe për politikanët për të cilët tha se janë shkëputur nga jeta mes qytetarëve të thjeshtë dhe nuk mendojnë për asnjë moment sesi të bëjnë vepra në të mirë të këtyre të fundit.
“Por ndërsa bota perëndimore po reagon, e po i vë diga këtij mendimi të brishtë, neve që jemi më “avangard” se të tjerët bëjmë pazare në popullin tonë, në fëmijët tanë, sepse kushedi kush realitet, lobist blen mendjet e atyre që mbajnë të drejtën pa na pyt, pa kërku një referendum, një dëgjesë kombëtare, mbajnë të drejtën të sillen në mënyrë autarkike ku liria dhe mendimi yt, nuk vlejnë më. Këtu nuk është fakti me reagu me shpatë, apo me provoku dikë që shpesh herë dëgjojmë “po ku ishe ti”, këtu është fakti të jemi së bashku sepse përballë një kulture vdekjeje, mund të mundet vetëm me jetën.
Kush e ka në vendin tonë këtë merak? Kush e ka këtë shqetsim për me mbjellë kulturën e jetës? Kush në parlamentin shqiptar shqetësohet për kulturën e jetës dhe dinjitetit për një familje që ndoshta është në varfëri e mjerim, sepse është përqëndru pasuria në 2% të shoqërisë shqiptare? As 2% jo… nji! Kush shqetsohet për ato fshatra të humbur ku nuk arrin rruga, sepse jemi të shqetsum me e shit imazhin e fasadës së rrugës që shkon ku janë zonat turistike. Apo me ndërtu qendrën e Tiranës po pastaj sapo dalim në lagjet periferike, me u mbyt akoma në llucë apo rrugët e ngushta?! Sepse njeriu s’vlen asgja, sepse për ta asnji trotuar nuk bahet, e ti duhet me ba garë me makinën ku me hedh kamën! Por ne kemi shqetsimin e kulturës “woke”!!! Sepse nuk jetojnë ma k’ta që zgjedhim! Nuk jetojnë ma me njerzit! Nuk jetojnë ma midis njerzve! Por nuk jetojnë ma as n’kët botë me sa duket (?)! Kur diçka nuk shkon, nuk shkon! E s’mund t’themi se jemi t’gzuar që gjërat nuk shkojnë”- u shpreh mes të tjerash Imzot Arjan Dodaj. Versus.al


