Kryeministri Edi Rama në një takim me sipërmarrës, drejtues të shkollave profesionale dhe ekspertë të reformës në arsimin profesional lajmëroi implementimin gjatë këtij viti të projektit për “Arsimin Profesional Dual” dhe ngritjen e “Fondit Kombëtar të Aftësimit”.
Ndërsa theksoi se “arsimi ynë profesional ka bërë hapa të rëndësishëm përpara', ai shtroi nevojën dhe 'për një hap të madh, dualizimin e arsimit profesional, duke spostuar në fushën ku zhvillohet veprimtaria ekonomike, pra në mjedisin sipërmarrës, pjesën kryesore të ditëve të shkollës.”
“Nëse shohim sipërmarrjet mëdha globale, ndërkombëtare dhe nëse futemi pak tek investimet që ata bëjnë në burimet njerëzore, do të shohim diçka që është mbresëlënëse; sa më shumë te investojnë tek burimet e tyre njerëzore, aq më shumë rritet suksesi, norma e suksesit të tyre në aspektin e pozicionit në treg. Dhe ka plot shembuj, dhe ka plot grafikë që e ilustrojnë dhe nëse marrim për shembull, kompanitë më të mëdha globale që janë sot në botën e teknologjisë, do të shikojmë që pozicioni i tyre në treg është në proporcion 100% të drejtë me investimin e brendshëm të tyre për burimet e tyre njerëzore.
Kush e ka ndërtuar këtë hotel, nuk e ka pasur absolutisht problem që të bëjë më të mirën për të marrë gjithë këto mallra nga importi, duke paguar për të krijuar këtë sallë, por pa diskutim nuk ka menduar që në të njëjtën kohë të investojë tek njerëzit që do të mirëmbajnë këtë sallë.
Në planet e investimit të kompanive tona, ky komponent është në rastin më të mirë, minimal dhe në rastin më të përgjithshëm, zero. Dhe pastaj ndërtohet hoteli, ndërtohet fabrika, ndërtohet infrastruktura përkatëse për një aktivitet të caktuar dhe fillon kërkohen punëtorë. Nuk funksionon. Dhe pastaj është një dhembje kokë e përditshme, e vazhdueshme.
Mjafton të takohesh 5 minuta me çdo sipërmarrës dhe përveç faktit që ankohen që nuk janë mirë ekonomikisht, se kjo është skema, kjo nuk diskutohet, menjëherë do të fillojnë të thonë “s’kemi njerëz, vijnë, ikin; s’kanë’’. Kjo kërkon një adresim kulturor në radhë të parë për të kuptuar të gjithë që ashtu siç bëhet plani për të ndërtuar hotelin, bëhet plani për të ndërtuar burimet njerëzore që do mbajnë hotelin.”
Ndërkohë kryeministri ka lajmëruar se të gjithë bizneset e mëdha do të paguajnë 1 për qind të shpenzimeve vjetore për ‘Fondin Kombëtar të Aftësimit si një investim i tyre i cili do t’u kthehet mbrapsht më vonë në kapital njerëzor.
“Thënë këto, ne jemi përgatitur të hyjmë në këtë fazë me një vit pilotimi, por dua të prek një element. Ne nuk mund të presim që ndryshimi kulturor të ndodhë kur të ndodhë. Prandaj që sot, punëdhënësit e mëdhenj, të gjitha bizneset e mëdha të Republikës së Shqipërisë duhet ta dinë që 1% e shpenzimeve të tyre totale do të shkojë për këtë punë dhe ose do të shkojë për këtë punë ose do t’u merret për këtë punë.
Do të krijojmë Fondin Kombëtar të Aftësimit i cili do të mbështesë gjithë këtë proces, duke mos e lënë thjesht në vullnetin e sipërmarrjeve, mbi një bazë sistemi kuotash dhe kontributesh që do të shkojnë për të financuar pikërisht zhvillimin e kapitalit njerëzor si dhe gjithë këtë skemë të arsimit profesional dual. Tani, ende jemi duke diskutuar opsionet dhe natyrisht këtu është shumë e rëndësishme që të vazhdojë diskutimi që është hapur me kompanitë, por opsioni më i mundur është që ky 1% do të duhet të investohet për trajnimin në vazhdim të personelit dhe për pjesëmarrjen në këtë skemë të arsimimit dual.
Shpenzimet e bëra në kuadër të pagesës së nxënësve që do të marrin pjesë në arsimin dual do të konsiderohen shpenzime të zbritshme nga taksat. Ndërkohë që, kush nuk do të futet në këtë proces do të duhet ta derdhë këtë si kontribut plus taksës, pra 15% taksë, po. Mbi këtë 15% do të jetë një kontribut ekstra që, sipas madhësisë së kompanive, sipas madhësisë së xhiros etj, që do të shkojë nga 0,5 deri 1% të shpenzimeve totale vjetore dhe që do të derdhet në Fondin Kombëtar të Aftësive.
Sigurisht që fondi do të jetë një fond publik, por do të menaxhohet bashkë me përfaqësuesit e sipërmarrjes dhe do të shpenzohet vetëm për këtë punë, nuk do të jenë të ardhura siç janë të ardhurat që vijnë nga taksat dhe që shpërndahen për nevojat e investimeve dhe shpenzimeve të shtetit, por do të jenë të ardhura që do të jenë në këtë fond dhe që do të shpenzohen vetëm për këtë punë. Patjetër që fondi do të shërbejë edhe për të nxitur kompanitë e mesme dhe të vogla që të përfshihen edhe ato në skemat e arsimit profesional dual, gjë që sot nuk ua kërkojmë.
Ka dhe një komponent tjetër që është dhe investimi që duhet bërë për këtë gjë. Nëse e dëgjuat këtë moment të prezantimit që bëri zëvendës ministrja, në mjedisin e sipërmarrjes duhet krijuar mjedisi i shkollës. Pra, nuk është që nxënësi që do të vijë këtu të studiojë për të bërë mirë recepsionin apo të tjerë komponentë do shkojë të rrijë tek recepsioni gjatë orëve të mësimit, por duhet krijuar një mjedis të dedikuar.
Natyrisht që kjo gjë nuk mund t’u kërkohet hoteleve ekzistuese sepse ato i kanë të gjitha mjediset e përcaktuara, por sigurisht që hotelet ekzistuese do duhet të përfshihen në këtë skemë dhe në ndërkohë, në të gjitha proceset e reja që do të lidhen dhe me lejet e ndërtimit për të gjitha llojet e sipërmarrjeve, ne do të fusim komponentin e hapësirës për arsimin dual dhe për zhvillimin profesional.
Në pamjen e parë, për shkak të kulturës, ky duket një shtrëngim, duket një ngarkesë, duket një shpenzim sepse është njësoj si më thoshte mua trajneri legjendar Rauf Dimraj, “Në këtë vend”, thoshte, “unë nuk e kuptoj sesi ka mundësi që njerëzit shqetësohen dhe bëjnë kaq shumë për të mirëmbajtur makinën e tyre dhe nuk shkojnë njëherë të bëjnë një analizë për të parë sesi është trupi i tyre dhe harxhojnë rregullisht për të larë makinën që të shkëlqejë dhe nuk bëjnë një program të thjeshtë ushtrimesh fizike që të jetë organizmi i tyre që të shkëlqejë siç shkëlqen makina”.
Natyrisht, të rroftë makina në qoftëse organizmin e ke të lodhur. Të rroftë Mecedesi në qoftëse trupin e ke si karrocën e Dylit, të rroftë hoteli me 5 yje nëqoftëse organizmin e gjallë të atyre që e mbajnë hotelin e ke me një yll që tre cepa janë të thyer. Nuk funksionon!”, u shpreh kryeministri.
Gjithashtu ky i fundit është rikthyer sërish tek turizmi, i cili momentalisht është në boom-in e tij, duke vënë theksin sërish tek nevoja e ngritjes së këtij komiteti për të aftësuar dhe kualifikuar fuqi punëtore në sektor.
“Sot ne mund të pretendojmë çdo treg dhe mund të pretendojmë të kemi në Shqipëri klientët që shpenzojnë 15 mijë, 20 mijë euro në ditë, por ata klientë duan që të ndihen të begenisur, të super, super, super... dhe për këtë arsye kjo që ne po bëjmë është një ndihmesë strategjike edhe për vetë sipërmarrjen edhe për çdo kapitalist të Shqipërisë që duhet të fillojë të kuptojë që të jesh një kapitalist i mirë nuk është që të trajtosh sikur i ke shërbëtorët e tu punonjësit. Të jesh kapitalist i mirë është që punonjësit tënd t’i japësh të gjitha arsyet që të ndjehet njeriu më i rëndësishëm për ty. Njësoj si një njëri i familjes në të gjitha aspektet.
Natyrisht kur njerëzit janë të papërgatitur për ta bërë një punë, të ikin, jo thjeshtë se të vjen keq që s’dinë ta bëjnë, po nuk gjen arsye për të ndenjur. Gjithë këta jurista që janë kafeneve. Nuk është e thënë që nuk duan të bëjnë dhe punë të tjera, po s’dinë t’i bëjnë. Atëherë kjo është mundësia për t’ia dhënë këtë rrugë.
Nuk është një punë që po e bëjmë vetëm, kemi mbështetjen e qeverisë federale të Gjermanisë që ka vënë një fond dhe ka vënë një skuadër për këtë punë, kemi mbështetjen e qeverisë zvicerane që ka vënë një fond dhe ka vënë një grup dhe skuadër dhe këto të dyja janë vendet kampione të kësaj pune në Europë. E dinë shumë mirë si bëhet kjo punë. Po dinë shumë mirë si bëhet kjo punë duke njohur gjermanët dhe zviceranët. Ambicia jonë është që deri në 2030 ne të kemi një sistem që të ketë filluar ndërkohë t’i japi gjak të ri ekonomisë tonë duke furnizuar kompanitë tona me burime njerëzore të kualifikuara si duhet” , u shpreh ai.
Një tjetër pike të cilës Rama i mëshoi në fjalën e tij janë dhe investimet në infrastrukturën e arsimit profesional duke synuar modernizimin e ambienteve akomoduese për të rinjtë:
Ne do bëjmë një investim masiv tek konviktet dhe konviktet e arsimit profesional duhet të jenë njëkohësisht dhe vendet ku ata që studiojnë për hoteleri të bëjnë menaxhim sipas meje, por kushtet që ne duhet të krijojmë duhet të jenë optimale që kur vjen fëmija nga një fshat dhe duhet të rrijë në konvikt se nuk kthehet dot në shtëpi atë ditë, ta ketë dhomën e konviktit dhjetë herë më të mirë sesa dhoma që la nga ku erdhi, ndryshe për çfarë do frymëzohet dhe do thotë: “kjo është rruga ime”. Patjetër dhe ai do thotë: “po marr dhe ca dijeni dhe po iki në Gjermani”. Dhe nëse kjo rrugë nga konvikti tek vendi i punës, tek kontakti me punëdhënësin ka këtë nivel tjetër atëherë sigurisht pse të ikë në Gjermani? Për çfarë do iki në Gjermani?/ Versus.al








