
Monako- Një shpërthim i fuqishëm tronditi mbrëmjen e djeshme principatën e njohur në kufi me Francën. Tre persona mbetën të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën. Mes të plagosurve është biznesmeni i njohur si oligark ukrainas, Vadim Ermolaev dhe 2 familjarë të tij.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 21:00 në një ndërtesë banimi midis Boulevard d'Italie dhe Rue du Révérend Père Louis Frolla, pranë kufirit francez. Brenda pajisjes shpërthyese u gjetën bulona dhe sfera metalike.
Një person kishte lënë një pako në hollin e ndërtesës përpara se të largohej me vrap. Autoritetet po punojnë për kapjen e autorit të ngjarjes dhe zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Vadim Ermolaev, një banor i Monakos, ka qenë nën sanksione që nga dhjetori 2023, pas një vendimi të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Sipas disa mediave, duke cituar shërbimet sekrete ukrainase, këto sanksione lidhen me vendimin e multimilionerit për të vazhduar aktivitetin e tij në tregtinë e alkoolit në Krime, një territor nën pushtimin rus. Versus.al

