Rrëzimi i një ndërtese banimi me pesë kate në Karaçi ka shkaktuar të paktën 27 viktima, sipas bilancit të fundit të publikuar të dielën nga autoritetet pakistaneze, ndërsa operacionet e pastrimit po afrohen drejt përfundimit.
Aksidenti ndodhi të premten pak pas orës 10:00 (05:00 GMT), në qytetin më të madh të Pakistanit, në lagjen e varfër të Lyarit, që më parë ka qenë pre e dhunës së bandave dhe konsiderohet një nga zonat më të rrezikshme në vend.
“Shumica e rrënojave janë larguar,” tha për AFP-në Hassaan Khan, zëdhënës i shërbimeve të shpëtimit, duke njoftuar për 27 të vdekur. Më herët, numri i viktimave ishte 21.
Ndërtesa ishte shpallur e rrezikshme
Zoti Khan shtoi se operacionet e pastrimit pritet të përfundojnë gjatë pasdites. Të shtunën, autoritetet u shprehën për AFP-në se ndërtesa ishte shpallur e rrezikshme dhe se njoftime për evakuim ishin dhënë në vitet 2022, 2023 dhe 2024. Megjithatë, disa pronarë dhe banorë mohuan se kishin marrë këto njoftime.
Qyteti i Karaçit (jug) me rreth 20 milionë banorë është i njohur për ndërtesat e dobëta, ndërtimet e paligjshme, infrastrukturën e vjetër, mbipopullimin dhe zbatimin e dobët të rregullave të ndërtimit.







