
Një sërë memesh në rrjetet sociale e kanë shndërruar Melania Trump në një... heroinë të papritur për ukrainasit, pas deklaratave të Donald Trump që nënkuptojnë se Zonja e Parë e SHBA-së luajti një rol vendimtar në ndryshimin e qëndrimit të tij ndaj Rusisë.
Duke folur të hënën në Shtëpinë e Bardhë, gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, presidenti amerikan tha se gruaja e tij i vuri në dukje hipokrizinë e Vladimir Putin.
"Bisedat e mia me të [Putin] janë gjithmonë shumë të këndshme. Unë them: a nuk ishte një bisedë e shkëlqyer? Dhe pastaj natën lëshohen raketa", tha Trump. "Kur shkoj në shtëpi, i them Zonjës së Parë: Fola me Vladimir sot. Patëm një bisedë të shkëlqyer. Dhe ajo më thotë: Vërtet? Një qytet tjetër sapo u godit".
Melania Trump, e cila është me prejardhje sllovene dhe është rritur në ish-Jugosllavi edhe më parë është dukur më mbështetëse e Ukrainës sesa bashkëshorti i saj, i cili kohët e fundit në shkurt e quajti Volodymyr Zelensky një “diktator”.
Menjëherë pas fillimit të pushtimit rus në vitin 2022, ajo u bëri thirrje ndjekësve të saj të mbështesnin Kryqin e Kuq, duke thënë se ishte “zemërthyese dhe e tmerrshme të shihje njerëz të pafajshëm duke vuajtur”.
Sipas gazetës Guardian, pas deklaratave të fundit të Trump, një përdorues i rrjeteve sociale postoi një foto të titulluar "Agjentja Melania Trebenko" ku shfaqet Melania e veshur me një xhaketë dhe kapelë që i mbulon fytyrën, sikur të punonte fshehurazi në Shtëpinë e Bardhë për të mirën e Kievit.
Ndërkohë, revista Business in Ukraine komentoi se “ka shumë dashuri në mediat sociale sonte për Melania Trump”, duke përmendur gjithashtu njoftimin se SHBA-të do të dërgojnë sisteme Patriot në Ukrainë.
Një meme i vjetër, që tregon tre figura të veshura me helmeta dhe kapele ushtarake, është rishfaqur sërisht me figurat që i dhurojnë Melanias një kapelë të zbukuruar me flamurin ukrainas.









