BOTA /

Autoritetet kosovare zhvillojnë aksion të ri kundër spiunazhit

Autoritetet kosovare janë duke e zhvilluar një aksion në lidhje me dyshimet për spiunazh, duke intensifikuar luftën kundër rrjetit të spiunazhit, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës të enjten.

Shkruar nga Versus

Autoritetet kosovare zhvillojnë aksion të ri kundër spiunazhit

Autoritetet kosovare janë duke e zhvilluar një aksion në lidhje me dyshimet për spiunazh, duke intensifikuar luftën kundër rrjetit të spiunazhit, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës të enjten.

Prokuroria tha se aksioni është duke u kryer në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Ajo tha se nuk mund të japë hollësi, për shkak ndjeshmërisë së hetimeve dhe pasi operacioni është ende në zhvillim e sipër.

Aksioni vjen në një kohë kur autoritetet kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi me pesë vjet burgim, Aleksandar Vllajiqin pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Momentalisht, dy të dyshuar, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.

Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.

Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.

Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, e konsideron spiunazhin si një prej kërcënimeve kryesore të sigurisë kombëtare në vend.

Arrestimet e fundit, por edhe procedurat e tjera penale kundër disa të dyshuarve tregojnë, sipas tij, se sa e cenueshme është Kosova ndaj aktiviteteve të tilla të inteligjencës së huaj.

“Dëmet që synohen të shkaktohen, janë ato që e nxjerrin Kosovën keq jashtë dhe e vendosin atë nën tension përbrenda”, tha Ramadani për Radion Evropa e Lirë në mars.

Për ish-zëvendësministrin e Brendshëm të Kosovës, Valdet Hoxha, janë kryesisht Serbia dhe Rusia ato që kanë apetite për ta nxjerrë Kosovën si “projekt të dështuar të Perëndimit”.

Valdet Hoxha, ish-zëvendësministër i Brendshëm i Kosovës, tha se kryesisht Serbia dhe Rusia kanë apetite për ta nxjerrë Kosovën si “projekt të dështuar të Perëndimit”.

“Në këtë kontekst, natyrshëm, ato kanë synuar infiltrimin e njerëzve të tyre në mekanizmat e sigurisë, në mekanizmat e tjerë politikë”, tha Hoxha./REL

Poll