Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë negociata me kryetarin e Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, të cilin Uashingtoni e konsideron si një nga figurat kryesore të regjimit iranian me të cilin po komunikohet në javët e fundit.
Në një intervistë për “New York Post”, Trump deklaroi se brenda rreth një jave pritet të sqarohet nëse Ghalibaf është një partner i mundshëm për një marrëveshje që synon uljen e tensioneve mes dy vendeve.
Ai shtoi se administrata amerikane po teston mundësinë e arritjes së një dakordësie dhe se rezultatet do të bëhen publike së shpejti.
Trump nuk e kishte përmendur më herët publikisht emrin e Ghalibafit, duke thënë me ironi se zbulimi i figurave të përfshira në bisedime mund të kishte pasoja të rrezikshme.
Nga ana tjetër, Ghalibaf ka mohuar çdo përfshirje në negociata me SHBA-në, duke i cilësuar këto raportime si “lajme të rreme” dhe përpjekje për manipulim të opinionit dhe tregjeve.
Megjithatë, burime amerikane i kanë kundërshtuar këto mohime, duke i konsideruar pjesë të qëndrimeve të brendshme politike në Teheran./Versus.al


