BOTA /

Brukseli paralajmëron masa të ashpra: Nëse Trump nuk tërhiqet, në lojë edhe taksa për gjigantët e teknologjisë

Shkruar nga Versus
Brukseli paralajmëron masa të ashpra: Nëse Trump nuk
Von der Leyen

Bruksel, 25 maj 2025 – Bashkimi Europian po përgatitet të përshpejtojë masat hakmarrëse ndaj tarifave doganore të paralajmëruara nga Shtetet e Bashkuara, të cilat mund të hyjnë në fuqi brenda dy javësh. Por përplasja nuk ndalet vetëm në tregti – rreziku për një konflikt më të gjerë që përfshin edhe sektorin e energjisë, në veçanti gazin e lëngshëm natyror (GLN), po rritet.

Tarifat dhe mungesa e besueshmërisë

Kthesa e fundit e Donald Trump në qëndrimet ndaj importeve europiane ka krijuar pasiguri të re në Bruksel, duke rikthyer dyshimet për besueshmërinë e presidentit amerikan. Ndërsa Shtëpia e Bardhë jep versionin e saj për këtë ndryshim, zyrtarët europianë janë të bindur se prapa vendimit qëndrojnë dy motive: një “fisnik” – mbështetja për Ukrainën dhe rritja e shpenzimeve ushtarake, dhe një tjetër më e drejtpërdrejtë – rritja e shitjes së gazit amerikan në Europë.

Gazi si mjet presioni

Burime nga Komisioni Europian pohojnë se Trump ka kërkuar që në dokumentet negociatore të përfshihej qartësisht një angazhim për rritjen e blerjeve të GLN-së nga SHBA. Megjithëse BE-ja është dakord për të rritur importet, ajo ka refuzuar ta përfshijë këtë objektiv në dokumentet zyrtare, duke mbrojtur politikën e saj të diversifikimit të furnizuesve – një mësim i nxjerrë nga varësia ndaj gazit rus.

Shqetësime nga Uashingtoni dhe tarifa 50%

Përballë qëndrimit të BE-së, administrata amerikane ka reaguar me një tjetër paralajmërim: vendosjen e një tarife 50% mbi disa produkte europiane. Zyrtarë amerikanë kritikojnë mungesën e konkretësisë nga pala europiane dhe vlerësojnë se propozimet aktuale nuk i përgjigjen nevojave të SHBA-së. Këto propozime përfshijnë heqjen reciproke të tarifave për mallrat industriale, akses më të gjerë për produkte bujqësore amerikane, bashkëpunim në sektorin e teknologjisë dhe energjisë – por për Washingtonin, kjo nuk mjafton.

BE: Nuk pranojmë shantazh

Komisioni Europian mbetet i angazhuar për dialog, por ka deklaruar qartë se nuk do të pranojë forma presioni apo shantazhi ekonomik. Nëse tarifat amerikane hyjnë në fuqi më 1 qershor, BE-ja do të përgjigjet me masa të njëjta dhe të kundërta – përfshirë tarifat europiane të reja që mund të hyjnë në fuqi më herët se planifikuar.

Ky përshkallëzim do të rrezikojë jo vetëm marrëdhëniet tregtare, por edhe blerjet e reja të gazit të lëngshëm nga SHBA. Në fillim të korrikut, BE-ja do të aktivizojë një paketë mbështetëse ekonomike prej 100 miliardë eurosh, me mundësi zgjerimi deri në 150 miliardë, për të përballuar ndikimet e krizës.

Sulmi ndaj "Big Tech" dhe gara në AI

Një tjetër fushë që pritet të përfshihet në përplasjen ekonomike është sektori i teknologjisë. BE-ja ka paralajmëruar masa për të ulur suficitin tregtar amerikan në shërbime, përfshirë vendosjen e një takse të re për gjigantët amerikanë të teknologjisë – e njohur si “web tax”.

Në të njëjtën kohë, Brukseli pritet të prezantojë javën e ardhshme një fond të posaçëm për zhvillimin e inteligjencës artificiale, në përpjekje për të ruajtur pavarësinë teknologjike të kontinentit.

Von der Leyen ndërhyn personalisht

Në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit, Komisioni Europian planifikon një kontakt të ri me administratën amerikane gjatë javës së ardhshme. Presidentja Ursula von der Leyen po shqyrton mundësinë për të marrë personalisht drejtimin e negociatave dhe për të diskutuar drejtpërdrejt me Trump, në përpjekje për të zbutur tensionet përpara se përplasja të bëhet e pashmangshme./La Repubblica

Tags:

be shba

Poll