
Sot në Alaskë mbahet takimi i shumëpritur mes presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe homologut të tij Vladimir Putin në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë e cila vijon që prej shkurtit të vitit 2022.
Takimi do të mbahet në orën 12:00 sipas kohës lokale të zonës, ndërsa ora në Shqipëri do të jetë rreth 21:30. Në Alaskë qytetarët e kanë të qartë se anën e kujt mbajnë. Qindra prej tyre kanë dalë me banderola në duar dhe me flamuj të Ukrainës duke ngulmuar se janë krah kësaj të fundit.
Donald Trump para këtij takimi ka folur për FoxNeës ku e ka cilësuar si një “lojë shahu” diskutimin që do të ketë me Putinin.
“Ky takim përgatit takimin e dytë, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm sepse aty do të bëhet marrëveshja. Dhe nuk dua të përdor fjalën ‘ndarje e gjërave’, por në njëfarë kuptimi nuk është një term negativ: do të ketë një negociatë për kufijtë, për tokat, etj.”
Trump u shpreh i bindur se brenda 2-5 minutave do ta kuptojë nëse takimi do të shkojë mirë apo keq, ndërsa u shfaq shumë optimist.
“Për shkak të njëfarë marrëdhënieje që ka me mua, besoj se tani është bindur të bëjë një marrëveshje. Do të bëjë një marrëveshje. Do ta zbulojmë, do ta di shumë shpejt”- shtoi ai.
Përsa i takon takimit edhe me Zelenskyn, Trump tha se nëse gjërat shkojnë mirë do të mund ta telefonojë Zelenskyn për të shkuar në Alaskë dhe aty të bëhet një marrëveshje me Putinin gjatë fundjavës.
“Nuk e di nëse do të arrijmë një armëpushim të menjëhershëm, por mendoj se do të ndodhë. Dëgjo, unë jam më i interesuar për një marrëveshje paqeje të menjëhershme, ta arrij sa më shpejt. Dhe, në varësi të asaj që do të ndodhë në takimin tim, do të telefonoj presidentin Zelensky… dhe ta bëjmë të vijë aty ku do të takohemi. Nuk e di ku do të zhvillohet takimi i dytë, por kemi në mendje tre vende të mundshme. Dhe gjëja më e thjeshtë do të ishte të qëndronim në Alaska”.
Putini thotë gjithashtu se dëshiron t’i japë fund luftës, megjithëse ende nuk ka dalë asnjë detaj rreth asaj që ai mund të kërkojë sot. Megjithatë, në këtë fazë, nuk ka arsye të besohet se ai ka hequr dorë nga parakushtet e tij maksimaliste për paqe. Vetëm pak javë më parë, ai tha se qëndrimi i tij nuk kishte ndryshuar që nga qershori - kur Rusia i paraqiti Ukrainës një memorandum që përcaktonte kushtet për një “zgjidhje përfundimtare” të konfliktit. Memorandumi thoshte se Ukraina duhet të zvogëlojë ushtrinë e saj dhe të mos i bashkohet NATO-s, dhe se fitimet territoriale të Rusisë përfshirë aneksimin e Krimesë dhe katër rajoneve lindore duhet të njihen ndërkombëtarisht. Versus.al







