BOTA /

‘’E prisja të ndodhte’’, Vuçiç për sulmin me armë pranë parlamentit: Autori, ish-oficer ‘sekret’

Sipas Vuçiçit, e gjithë ngjarja kishte qëllim shkaktimin e panikut.

Shkruar nga Versus

‘’E prisja të ndodhte’’, Vuçiç

Një 70 vjeçar, ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit ka kryer sulmin me armë pranë parlamentit të Serbisë ku mbeti i plagosur një person. Kështu u shpreh presidenti serb, Aleksandër Vuçiç i cili e përshkroi ngjarjen si ‘’akt terrorist me motive politike’’.

“Ishte çështje kohe kur diçka e tillë do të ndodhte”, shtoi ai.

Gjatë konferencës për shtyp, Vuçiç bëri të ditur se autori është 70 vjeç, ka punuar deri në pensionim në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Shtetit (BIA) dhe kishte shkuar në kamp me një bidon benzine me qëllim për ta djegur.

Po ashtu u transmetua një video me dëshminë e parë të autorit përballë policisë, ku ai deklaron se “e shqetësonte prania e kampit të ngritur në qendër të qytetit dhe donte ta zhdukte atë”.

Autori gjithashtu tha se e plagosi viktimën gabimisht, në momentin kur po qëllonte me armë në drejtim të vendit ku kishte hedhur benzinë për të shkaktuar zjarr.

Ngjarja shkaktoi alarm ditën e sotme pranë parlamentit, pas të shtënave me armë zjarri dhe shpërthimit të një zjarri.

Agjencia Tanjug raportoi se policia e Beogradit arrestoi një burrë përballë Kuvendit Kombëtar, si të dyshuar për plagosjen me armë zjarri të një personi tjetër. Autoritetet u vunë në lëvizje pasi zjarri kishte shpërthyer në kampin me çadra që ndodhej aty pranë. Në vendngjarje mbërritën prokuroria, policia dhe shërbimet zjarrfikëse për shuarjen e zjarrit.

Incidenti ndodhi pak para një proteste të planifikuar më 1 nëntor, për përvjetorin e parë të shembjes së çatisë së një stacioni treni, një ngjarje që shkaktoi zemërim masiv dhe protesta të mëdha të udhëhequra nga të rinjtë kundër Vuçiçit, i cili është në pushtet që nga viti 2017.

Protesta është planifikuar të mbahet në qytetin Novi Sad, në veriperëndim të Beogradit, aty ku ndodhi incidenti. Në atë aksident humbën jetën gjithsej 16 persona, dhe shkaku i tragjedisë u lidh me pakujdesinë. Lëvizja e protestuesve nga brezi i Gjeneratës Z në Serbi po kërkon që Vuçiç të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, por deri më tani, ai ka refuzuar duke i cilësuar protestat si plane të shteteve evropiane për ta rrëzuar atë nga pushteti. Versus.al

Poll