
Shkencëtarët amerikanë kanë konfirmuar nisjen e fenomenit klimatik “El Niño”, një model natyror i motit në Oqeanin Paqësor që ndikon ndjeshëm në klimën globale dhe temperaturat në shumë rajone të botës.
Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA) bëri të ditur se temperaturat e sipërfaqes së detit në Paqësorin tropikal janë rritur në mënyrë të ndjeshme gjatë muajve të fundit, duke kaluar pragun që shënon fillimin e fenomenit.
Sipas parashikimeve, “El Niño” mund të forcohet deri në një “super El Niño”, me rreth 63% mundësi për të arritur intensitet të lartë gjatë periudhës nëntor–janar.
Ekspertët paralajmërojnë se fenomeni, i kombinuar me ngrohjen globale, mund të sjellë temperatura rekord në nivel botëror, veçanërisht në vitin 2027. Një episod i fortë zakonisht rrit temperaturën mesatare globale me rreth 0.2°C, duke çliruar nxehtësinë e akumuluar në oqeane.
Ndikimet e pritshme përfshijnë përmbytje në pjesë të Amerikës së Jugut, Afrikës Lindore dhe jugut të SHBA-së, si dhe thatësira e zjarre në Australi, Indonezi dhe disa zona të Amerikës së Jugut. Këto ndryshime mund të ndikojnë edhe në prodhimin bujqësor dhe furnizimet globale me ushqime.
Meteorologët japonezë kanë konfirmuar gjithashtu praninë e fenomenit dhe parashikojnë që ai të zgjasë të paktën deri në vjeshtë. “El Niño” shfaqet zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe zgjat rreth një vit.Versus.al

