
Prokuroria e Parisit ka dërguar një njoftim te autoritetet amerikane për Elon Musk, i cili dyshohet se mund të ketë përdorur një polemikë me deepfake me përmbajtje seksuale për të rritur artificialisht vlerën e kompanive të tij, X dhe xAI, para se të bashkoheshin dhe të dilnin në bursë.
Sipas hetuesve francezë, imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale e X, Grok, mund të jenë përdorur qëllimisht për të tërhequr vëmendje dhe për të rritur vlerën e kompanive, ndërsa X po përballej me humbje të dukshme.
Prokuroria franceze ka dërguar informacionin më 17 mars te Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe te avokatët e SEC (komisioni amerikan i tregjeve financiare) për të tërhequr vëmendjen mbi këto dyshime.
Hetuesit i referohen disa postimeve të Musk gjatë polemikës, ku ai duket se inkurajon përdorimin e AI për të krijuar imazhe jo konsensuale dhe për të rritur popullaritetin e aplikacionit Grok. Ai madje ka shpërndarë edhe foto të tij të modifikuara me bikini, të krijuara nga chatbot-i i X.
Rrjeti social X është nën hetim nga prokuroria e Parisit që nga fillimi i vitit 2025 për manipulim algoritmesh dhe përmbajtje të paligjshme, përfshirë edhe deepfake me përmbajtje seksuale dhe materiale të dyshimta me të mitur.
Në kuadër të hetimit, Elon Musk dhe ish-drejtoresha e X, Linda Yaccarino, janë thirrur për t’u marrë në pyetje më 20 prill në Paris. Edhe disa punonjës të kompanisë do të dëgjohen si dëshmitarë nga 20 deri më 24 prill.
Ky hetim mund të ketë pasoja serioze ligjore dhe financiare, sidomos nëse autoritetet amerikane vendosin të hapin një proces për manipulim të tregut.

