Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar se gjatë muajit korrik në Rripin e Gazës është shënuar numri më i lartë mujor i rasteve të kequshqyerjes akute te fëmijët ndonjëherë i regjistruar.
Nga Gjeneva, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi të enjten (7 gusht) se gati 12,000 fëmijë nën moshën pesë vjeç janë diagnostikuar me kequshqyerje akute në enklavën palestineze.
Sipas të dhënave të OBSH-së:
• 2,500 fëmijë vuajnë nga forma më e rëndë e kequshqyerjes akute.
• Të paktën 99 persona kanë vdekur nga uria që prej fillimit të vitit, përfshirë 35 fëmijë – mes tyre 29 nën moshën 5 vjeç.
Kjo situatë e rëndë vjen si pasojë e mungesës së ushqimit dhe ndihmës humanitare në Gaza, ku bllokadat dhe shkatërrimet e infrastrukturës kanë krijuar një krizë të thellë humanitare.
Rick Pipercorn, përfaqësues i OBSH-së për territoret e pushtuara palestineze, paralajmëroi:
“Vëllimi i përgjithshëm i furnizimeve ushqimore mbetet plotësisht i pamjaftueshëm për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm. Duhet të ketë një rrjedhë furnizimesh në dyqanet ushqimore. Duhet të ketë diversitet dietik.”
Organizatat ndërkombëtare kanë kërkuar me urgjencë lehtësimin e hyrjes së ndihmave ushqimore dhe mjekësore në Gaza për të shmangur një katastrofë humanitare më të madhe.







