Pas një hetimi që zgjati muaj të tërë dhe që nisi si një rast i thjeshtë trafiku droge, policia greke zbuloi një realitet shumë më të errët: një organizatë kriminale me tentakula të shtrira në gjithë Kretën, e udhëhequr nga dy vëllezër të fuqishëm, biznesmenë të njohur nga Hania, të cilët për komunitetin ishin njerëz të respektuar... por në prapaskenë, ata komandonin një perandori të nëndheshme krimi.
Fotografitë e publikuara nga policia helenike pas bastisjeve flasin vetë: një dhomë e tërë e blinduar me dëshmi që duken sikur janë shkëputur nga një film mafioz. Pushkë gjahu dhe armë luftarake, kallashnikovë, pistoleta, qindra municione, kuti me fishekë të të gjitha kalibrave, drogë të paketuar, para cash në shuma të mëdha, telefona të shumtë celularë.
Numri i të arrestuarve ka arritur tashmë në 49 persona, ndërsa xhiroja totale e kësaj organizate arrinte në rreth 3 milionë euro. Vetëm nga trafiku i drogës, të ardhurat kapnin vlerën 1.1 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër vinte nga aktivitete të tjera të paligjshme.
Por ndoshta pjesa më tronditëse e këtij operacioni është mënyra se si autoritetet arritën të depërtonin në këtë rrjet hermetik: dy oficerë policie të maskuar si kamarierë, të infiltruar në zemër të organizatës, fituan besimin e anëtarëve dhe zbuluan sekretet që çuan në shpërbërjen e kësaj strukture të errët. Ishin ata që hodhën dritë mbi hierarkinë, kodet e komunikimit dhe lëvizjet e fshehta të mafias së Kretës.
Të dy vëllezërit udhëheqës kishin qenë më parë në vëzhgim për zhvatje dhe veprimtari të dyshimta, por asnjëherë nuk ishte arritur t’u provohej gjë.
Sot, policia greke njoftoi një tjetër arrestim, duke e çuar numrin total në 49. Ndërsa hetimet vazhdojnë, pasi ende nuk dihet se sa kohë kishte në veprim kjo organizatë e nëse është ky fundi i saj… apo thjesht maja e ajsbergut? / Versus







