Carsten Breuer, Inspektori i Përgjithshëm i Bundeswehr-it (Ushtrisë Gjermane), ka dhënë një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj kërcënimit që paraqet Rusia, duke theksuar nevojën urgjente për forcim të kapaciteteve parandaluese në rajonin e Detit Baltik.
Gjatë një konference për shtyp në Berlin, me rastin e stërvitjes së përbashkët të NATO-s “Quadriga 2025”, Breuer tha:
“Vetëm përmes parandalimit ushtarak mund të ruajmë paqen. Kërcënimi nga Rusia mbetet i pandryshuar. Presidenti rus Vladimir Putin po na ndjek me sy. Planet e tij shkojnë përtej Ukrainës.”
Quadriga 2025 – Një test për mbrojtjen e Baltikut
Aktualisht, rreth 8.000 trupa nga 14 vende anëtare të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, janë të angazhuar në një seri stërvitjesh në kuadër të Quadriga 2025, që synojnë përgatitjen për mbrojtjen e rajonit të Baltikut në rast krize apo lufte.
Sipas Bundeswehr-it, gjatë këtyre manovrave po ushtrohet zhvendosja e trupave dhe pajisjeve ushtarake nga deti, toka dhe ajri drejt Lituanisë, si pjesë e planit të forcimit të krahut lindor të NATO-s.
“Bundeswehr-i duhet të ushtrojë, ushtrojë dhe sërish të ushtrojë,” – deklaroi Breuer. “Bëhet fjalë për besueshmërinë e Gjermanisë si nyja logjistike e NATO-s, sepse të gjitha rrugët e furnizimit kalojnë përmes territorit tonë.”
Rusia përgatit stërvitjen “Zapad”
Në të njëjtën kohë, Breuer paralajmëroi edhe për një zhvillim të rëndësishëm në lindje: Rusia pritet të nisë së shpejti stërvitjen e saj të madhe ushtarake “Zapad” (Perëndimi), e cila do të zhvillohet në Bjellorusi – drejtpërdrejt në kufi me Lituaninë dhe NATO-n.
Pritet që rreth 13.000 ushtarë rusë dhe bjellorusë të marrin pjesë në Bjellorusi, ndërsa 30.000 të tjerë do të ushtrojnë në territorin rus.
“Disa segmente të stërvitjes ‘Zapad’ do të përkojnë në kohë me ‘Quadriga 2025’. Ne duam të parandalojmë, jo të përshkallëzojmë. Po stërvitemi vetëm për mbrojtje, jo për sulm,” – theksoi Breuer.
Ai sqaroi se aktualisht nuk ka shenja se stërvitja ruse është mbulesë për përgatitje lufte, por shtoi: “Jemi vigjilentë.”
Sabotim, spiunazh dhe luftë hibride – Rusia nën akuzë
Breuer u pyet gjithashtu për sulmin e dyshuar rus ndaj sinjalit GPS të avionit që transportonte presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ai u përgjigj se këto nuk janë raste të izoluara: “Ne ndodhemi vazhdimisht nën presion nga sabotazhi, spiunazhi dhe ndërhyrjet hibride. Shpesh herë, pas këtyre qëndrojnë aktorë shtetërorë – dhe shumë shpesh bëhet fjalë për Rusinë.”







