Ava Max, ose Armanda Koçi, këngëtarja shqiptare me famë botërore, e ka hapur zemrën në një rrëfim të sinqertë dhe tronditës, duke ndarë jo vetëm dramën shëndetësore që rrezikoi karrierën e saj, por edhe përvojat traumatike nga fillimet e saj në industrinë e muzikës, përfshirë ngacmime seksuale dhe abuzim psikologjik nga producentë.
Shpërthimi i kordave të zërit
Në një intervistë për “Daily Star”, Ava ka zbuluar se një ditë para se të nisej në turneun ndërkombëtar për promovimin e hitit të saj të madh “Sweet But Psycho”, kordat e zërit i shpërthyen dhe ajo përjetoi një gjakderdhje të brendshme që mund t’i kishte kushtuar karrierën.
“Kam pasur gjakderdhje në korda. Më shpërthyen vetëm një ditë para se të nisesha për turne. Ndërkohë që kënga ime ishte numër një në gjithë botën, unë po përjetoja një krizë të heshtur,” – ka treguar Ava.
Ajo vendosi të mos e tregonte problemin e saj te menaxherët, duke u justifikuar se kishte grip dhe infeksion në fyt, vetëm që të kishte kohë për të pushuar dhe shëruar. Pas 14 ditësh qetësie dhe gjumi deri në 14 orë në ditë, ajo u rikthye te mjeku — dhe çfarë ndodhi është për t’u mbajtur mend: “Doktori më tha se kordat e mia vokale ishin 'si të porsalindura'. Ai e quajti këtë një mrekulli mjekësore, por më paralajmëroi të jem shumë e kujdesshme.”
Rikthimi i saj në skenë u bë me një "zë" të ri. “Ishte si të mësoja të këndoja nga fillimi”, kujton ajo.
Ngacmimi seksual
Në një tjetër pasazh emocional, Ava Max ka folur për një nga momentet më traumatike të jetës së saj, kur si vajzë e re që sapo kishte nisur rrugën drejt famës, përjetoi ngacmime seksuale dhe mosrespektim brutal nga njerëzit me pushtet në industri.
“Isha vetëm 20 vjeç kur një producent më mbylli në një dhomë. Kur fillova të qaj, më tha: ‘Janë lot krokodili’. Mbaj mend atë moment sikur të ishte dje. Mendoja me vete: ‘Nuk dua të përjetoj më kurrë diçka të tillë’. Më pas u mbylla në vetvete. Ai vit ishte shumë i errët për mua dhe gati sa nuk e lashë krejtësisht muzikën.”
Këngëtarja tregoi gjithashtu se sa e vështirë ishte të gjente njerëz që ta respektonin si artiste dhe si njeri:
“Ishte shumë, shumë e vështirë. Kur po përpiqesha të krijoja muzikë me njerëz, të gjithë donin ose të flinin me mua ose të më bënin keq. Ishte një terren i minuar dhe shpesh më dukej sikur nuk kishte rrugëdalje.”
Pavarësisht plagëve të padukshme dhe sfidave fizike që do ta kishin shkatërruar këdo tjetër, Ava Max jo vetëm që mbijetoi, por u rrit si një nga emrat më të njohur në pop-in global. Hiti “Sweet But Psycho” e bëri një yll të menjëhershëm, duke fituar çmime ndërkombëtare dhe zemrat e miliona fansave në të gjithë botën.
Sot, ajo është një zë që jo vetëm këndon, por edhe flet për të vërtetat e errëta të industrisë, për gratë që përballen me abuzim, për vajzat që luftojnë të jenë të dëgjuara dhe të respektohen përtej paraqitjes. / Versus







