Franca po merr masa të paprecedentë për t’u përballur me një skenar të mundshëm lufte në Evropë. Sipas një qarkoreje të klasifikuar të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë më 18 korrik, autoritetet rajonale shëndetësore janë udhëzuar të përgatiten për të pritur mijëra ushtarë të plagosur deri në mars të vitit 2026, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes së Francës dhe partnerët ndërkombëtarë.
Qarkorja, e zbuluar nga gazeta satirike dhe investiguese franceze Le Canard Enchaîné, flet për krijimin e qendrave të posaçme të përkohshme pranë porteve, stacioneve hekurudhore dhe aeroporteve, ku ushtarët e plagosur do të trajtohen për nevojat emergjente dhe më pas do të shpërndahen në spitalet civile përreth ose do të rikthehen në vendet e tyre të origjinës, nëse janë pjesë e forcave të huaja aleate.
Cilat janë shifrat që shqetësojnë?
Sipas dokumentit zyrtar: Spitalet duhet të jenë në gjendje të pranojnë 100 të plagosur në ditë, për 60 ditë radhazi, në të gjithë territorin francez.
Në raste emergjente, është parashikuar një fluks deri në 250 pacientë në ditë, për tre ditë të njëpasnjëshme.
Në total, Franca po planifikon të përballojë trajtimin e 10.000 deri në 15.000 ushtarëve të plagosur gjatë një krize të zgjatur ose një konflikti të përmasave të mëdha.
Një përgatitje për më shumë se luftë?
Ministrja e Shëndetësisë, Catherine Vautrin, në një deklaratë për mediat franceze tha se kjo iniciativë nuk ka për qëllim të alarmojë popullatën, por është pjesë e një strategjie të përgjithshme për të përballuar çdo krizë të mundshme qoftë ajo ushtarake, epidemike apo natyrore.
“Siç krijuam rezerva strategjike gjatë pandemisë së Covid‑19, tani jemi të detyruar të përgatitemi për çfarëdo situate që mund të kërcënojë sistemin tonë shëndetësor. Kjo nuk do të thotë që lufta është e pashmangshme, por do të ishte papërgjegjësi të mos ishim të përgatitur”, - u shpreh ajo.
Pse tani?
Ky zhvillim vjen në një kohë të tensionuar gjeopolitikisht, me rritje të ndjeshme të kërcënimeve në Evropën Lindore dhe një përfshirje gjithnjë e më aktive të vendeve anëtare të NATO-s në stërvitje ushtarake të përmasave të mëdha.
Edhe pse nuk përmendet drejtpërdrejt ndonjë shtet apo konflikt i veçantë, ekspertët francezë e cilësojnë këtë planifikim si një përgatitje për një “luftë me intensitet të lartë” – një term që po përdoret gjithnjë e më shpesh në qarqet ushtarake dhe diplomatike europiane.
Bashkëpunim civil-ushtarak
Qarkorja parashikon bashkëpunim të ngushtë mes spitaleve civile dhe Shërbimit të Shëndetit të Forcave të Armatosura (SSA), me qëllim ngritjen e strukturave të përkohshme të pritjes, trajnim të stafit mjekësor për trauma të lidhura me luftime dhe forcim të logjistikës për transportin dhe shpërndarjen e të plagosurve në mënyrë efikase.







