Në edicionin e këtij viti të Festivalit të Filmit në Venecia, stilisti i njohur amerikan Marc Jacobs ishte një nga protagonistët më të komentuar në tapetin e kuq – dhe jo vetëm për pamjen e tij ekstravagante.
Jacobs, 62 vjeç, u shfaq në Lido në mbështetje të mikeshës së tij të ngushtë, regjisores Sofia Coppola, e cila prezantoi filmin "Marc by Sofia", një portret intim dhe artistik kushtuar vetë stilistit. Filmi u shfaq jashtë konkurrencës dhe është një nga veprat më të pritura nga bota e modës dhe artit bashkëkohor.
Miqësia mes Jacobs dhe Coppola ka mbi 30 vite që zhvillohet me kujdes dhe dashuri, dhe ky film është dëshmia më e freskët e lidhjes së tyre të veçantë.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen e mediave dhe të ftuarve ishte padyshim paraqitja e pazakontë e stilistit: një look totalisht në të zezë, me xhaketë smokingu, pantallona prej lëkure, balerina të sheshta dhe një fjongo e madhe në flokë, e kombinuar me një manikyr blu elektrik që shkëlqente në çdo lëvizje, një detaj i vogël, por me efekt të fuqishëm vizual dhe simbolik.
Pamja e Jacobs shkoi përtej pritshmërive, duke sjellë frymë të re, stil të guximshëm dhe një dozë arti personal në një prej skenave më prestigjioze të kinemasë ndërkombëtare.







