BOTA /

Gjykata e Hagës nuk e lejoi ta vizitonte, vdes babai i Salih Mustafës

Shkruar nga Versus
Gjykata e Hagës nuk e lejoi ta vizitonte, vdes babai i Salih Mustafës
Salih Mustafa dhe babai i tij i ndjerë, Jahja Mustafa

Jahja Mustafa, babai i një prej ish-komandantëve të UÇK, Salih Mustafes, ka ndërruar jetë.

Lajmin e ka konfirmuar Hysni Gucati, kryetari i OVL e UÇK-së, i cili shprehu ngushëllime të thella për familjen dhe miqtë e të ndjerit.

Gucati në një postim në rrjetet sociale shkruan se dhimbja bëhet edhe më e rëndë për shkak se djali i të ndjerit, Salih Mustafa, nuk ka mundur ta vizitojë babanë në momentet e fundit për shkak të situatës me Gjykatën Speciale.

"Ngushëllime të thella për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur Bacën Jahja. Pusho në paqe, Bace!", ka shkruar Gucati.

Ndërkaq në një reagim OVL UÇK ka shprehur indinjatën dhe shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili tashmë ka ndërruar jetë, pa e parë dhe pa i dhënë lamtumirën e fundit të birit.

"Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor. Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale", thuhet në reagim.

Varrimi i Jahja Mustafës do të bëhet ditën e nesërme. Kujtojmë se as ish-presidentit Hashim Thaçi nuk iu dha leje nga Gjykata e Hagës për të qenë i pranishëm në varrimin e babait të tij. Versus.al

Poll