
Një tjetër zhvillim i bujshëm duket se po thellon përçarjen brenda familjes së Brad Pitt dhe Angelina Jolie. Sipas mediave ndërkombëtare, djali i madh i ish-çiftit të famshëm, Maddox Chivan Jolie-Pitt, dëshiron të heqë dorë nga mbiemri i të atit dhe të mbajë zyrtarisht vetëm emrin “Maddox Chivan Jolie”.
24-vjeçari ndjek kështu shembullin e motrave të tij Zahara, Shiloh dhe Vivienne, të cilat në forma të ndryshme kanë hequr ose kanë shmangur përdorimin e mbiemrit Pitt. Sipas burimeve pranë familjes, Maddox ka ndërmarrë tashmë hapat e nevojshëm për ndryshimin e emrit.
Shenjat e këtij distancimi janë vënë re edhe në karrierën e tij profesionale. Maddox ka punuar si asistent regjisor në filmin “Couture”, të regjisores franceze Alice Winocour, ku luan edhe nëna e tij, Angelina Jolie. Në kreditet e filmit, emri i tij figuron si “Maddox Jolie”, pa përfshirë mbiemrin Pitt.
Marrëdhënia mes Maddox dhe Brad Pitt raportohet të jetë e tensionuar prej vitesh. Në vitin 2021, ai dëshmoi gjatë procesit gjyqësor mes prindërve të tij për kujdestarinë e fëmijëve dhe, sipas mediave amerikane, deklaratat e tij nuk kanë qenë aspak në favor të aktorit.
Edhe fëmijët e tjerë të çiftit kanë shfaqur publikisht distancim nga babai i tyre. Shiloh është raportuar se ka kryer zyrtarisht procedurat për heqjen e mbiemrit Pitt, ndërsa Pax ka qenë veçanërisht kritik ndaj të atit në rrjetet sociale.
Burime pranë Brad Pitt kanë deklaruar më herët se aktori vazhdon t’i dojë shumë fëmijët e tij dhe se situata familjare e ka prekur thellë emocionalisht.
“Humbja e lidhjes me fëmijët nuk është aspak e lehtë për Brad. Ai i do dhe i ndjen shumë mungesën e tyre”, është shprehur një burim pranë aktorit.
Ndarja e bujshme mes Brad Pitt dhe Angelina Jolie, e cila nisi në vitin 2016, vazhdon të ketë pasoja në marrëdhëniet familjare edhe pas shumë vitesh. Ndërsa fëmijët tashmë janë rritur dhe po ndërtojnë jetën e tyre, raportet me të atin duket se mbeten një nga plagët më të mëdha të kësaj historie që prej vitesh ka tërhequr vëmendjen e mediave në mbarë botën.

