
Bashkimi Evropian duket se po përballet me një pikë të re të nxehtë me Donald Trump, pasi është përpjekur të bllokojë dhënien e një kontrate fitimprurëse për tubacionin e gazit në Ballkan një kompanie të lidhur me avokatin personal të presidentit amerikan, sipas dokumenteve të para nga Guardian.
Brukseli është përplasur më parë me Trumpin për çështje që lidhen me tregtinë, Ukrainën dhe shpenzimet ushtarake, por kjo ndërhyrje duket të jetë hera e parë që ka vënë në pikëpyetje drejtpërdrejt aktivitetet e biznesit të njerëzve të afërt me të.
Gazsjellësi, i cili do të kalojë nëpër Bosnjë dhe Hercegovinë, po shtyhet përpara - sipas burimeve boshnjake - pas muajsh presioni nga zyrtarët amerikanë, me autoritetet lokale që po veprojnë shpejt për t'ia dhënë kontratën një kompanie me seli në Wyoming, e panjohur më parë.
AAFS Infrastructure and Energy u themelua në nëntor të vitit të kaluar dhe nuk e ka zbuluar strukturën e aksionarëve të saj. Ajo drejtohet nga dy individë që luajtën një rol aktiv në përpjekjen e Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020: avokati Jesse Binal, i cili e mbrojti atë nga akuzat për nxitje të incidenteve në Capitol Hill, dhe Joe Flynn, vëllai i ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare.
Pavarësisht mungesës së përvojës së provuar në projekte të kësaj madhësie, AAFS thotë se planifikon të investojë 1.5 miliardë dollarë në gazsjellës dhe infrastrukturë tjetër në Bosnjë.
Në mars, parlamenti i Bosnjës miratoi legjislacionin që, sipas Transparency International, vendos një "precedent të rrezikshëm" duke ia dhënë kontratën drejtpërdrejt AAFS pa një proces konkurrues tenderimi.
Disa ditë më vonë, përfaqësuesi i BE-së në Sarajevë e paralajmëroi privatisht udhëheqjen politike të vendit se lëvizje të tilla i vinin në rrezik perspektivat e saj evropiane.
Në një letër të datës 13 prill, të siguruar nga portali investigativ istraga.ba, zyrtari i BE-së Luigi Soreca theksoi se, sipas marrëveshjes së energjisë BE-Bosnjë, është "thelbësore që projektligjet të koordinohen plotësisht" me Brukselin. "Në këtë mënyrë, Bosnja dhe Hercegovina mund të vazhdojë në rrugën e saj evropiane dhe të mos humbasë mundësitë për integrim dhe financim të mëtejshëm", vuri në dukje ai.
"Një përparësi për administratën Trump"
Binal , nga ana e tij, e përshkroi tubacionin si një "prioritet për administratën Trump", duke siguruar se kompania do të përqendrohej në sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Projekti do ta lidhë Bosnjën me një terminal të gazit natyror të lëngshëm në Kroaci, duke lejuar importin e gazit amerikan në një vend që është plotësisht i varur nga Rusia.
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, BE-ja ka vendosur një qëllim për t'u bërë plotësisht e pavarur nga gazi rus deri në vitin 2028, duke përfshirë vendet kandidate si Bosnja. Megjithatë, perspektiva e një projekti kritik energjetik që vihet nën kontrollin e një kompanie të lidhur me rrethin e ngushtë të Trump ngre shqetësime të reja gjeopolitike në Bruksel.
Në të njëjtën kohë, figura të tjera nga rrethi i Trump kanë treguar gjithashtu interes për Bosnjën. Michael Flynn, ish-kreu i inteligjencës amerikane, dyshohet se ka lobuar në favor të udhëheqjes nacionaliste serbe të vendit.
Ndërhyrja e tij ndihmoi në heqjen e sanksioneve të SHBA-së kundër Milorad Dodikut, udhëheqësit serb të Bosnjës, i cili akuzohet për minimin e marrëveshjes së paqes të vitit 1995 që i dha fund një lufte trevjeçare që vrau më shumë se 100,000 njerëz.
Në prill, Donald Trump Jr. vizitoi Banja Lukën , kryeqytetin e Republikës Srpska, dhe Dodik tashmë ka shprehur mbështetjen e tij për projektin e tubacionit.

