Pas rikthimit nga pushimet verore, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë rifilluar seancat. Tashmë është radha e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të paraqitur përgatitjet e tyre para fillimit të paraqitjes së provave më 15 shtator.
Avokati i Thaçit, Luka Misetiç, bëri të ditur se mbrojtja ka parashikuar gjithsej 11 dëshmitarë, nga të cilët 5 janë figura të larta dhe të rëndësishme, për të cilët pritet leje nga autoritetet përkatëse në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.
Sipas llogaritjeve të mbrojtjes, janë të nevojshme 35.5 orë për dëgjimin e të gjithë dëshmitarëve, dhe ky proces pritet të përfundojë deri në dhjetor 2025.
Ndërkohë, edhe mbrojtja e Jakup Krasniqit ka bërë të ditur se do të paraqesë katër dëshmitarë – dy do të dëshmojnë fizikisht në gjykatë, ndërsa dy të tjerë përmes dëshmive me shkrim.
Kufizime të reja për vizitat e Thaçit
Gjykatësja e Procedurës Paraprake, Maswlo, ka marrë një vendim më 18 gusht 2025 për të modifikuar kushtet e paraburgimit të Hashim Thaçit, duke miratuar kufizime të pjesshme për vizitat nga disa persona specifikë.
Në listën e ashtuquajtur “Vizitorët e Rrezikshëm” janë përfshirë:
Artan Behrami (deputet i PDK)
Blerim Shala
Ismail Syla
Vllaznim Kryeziu
Dy persona të tjerë, emrat e të cilëve janë redaktuar
Këta persona, sipas gjykatës, e kanë vizituar Thaçin në paraburgim mes 1 korrikut dhe 7 tetorit 2023, dhe i kanë transmetuar informacione të ndjeshme politike në mënyrë të fshehtë.
Kufizimet do të rishikohen çdo tre muaj, për të vlerësuar nëse mbeten të nevojshme. /Versus.al/







