BOTA /

'Herën tjetër në Moskë?': Pesë gjëra që duhen kuptuar pas samitit të Trump dhe Putin në Alaskë

Takimi me rrezik të lartë midis Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, u cilësua si një hap jetësor drejt paqes në luftën e Ukrainës. Por pa armëpushim dhe pa një ftesë për në Moskë, takimi pothuajse tre-orësh midis dy udhëheqësve ka dhënë më shumë pyetje sesa përgjigje.

Shkruar nga Versus
'Herën tjetër në Moskë?': Pesë gjëra
Vladimir Putin, Donald Trump në Samitin e Alaskës

BBC- Takimi me rrezik të lartë midis Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, u cilësua si një hap jetësor drejt paqes në luftën e Ukrainës.

Por pa armëpushim dhe pa një ftesë për në Moskë, takimi pothuajse tre-orësh midis dy udhëheqësve ka dhënë më shumë pyetje sesa përgjigje.

Pesë mësime kryesore nga samiti i Alaskës:

Putini u prit përsëri në skenën botërore me qilim të kuq

Kur Presidenti Vladimir Putin u rikthye në skenën botërore të premten, qielli në Alaskë ishte me re.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po priste me një qilim të kuq të shtruar në pistën e Bazës së Përbashkët Elmendorf-Richardson.

Ndërsa Putini po afrohej, Trump duartrokiti. Të dy udhëheqësit shtrënguan duart me ngrohtësi dhe buzëqeshën.

Ishte një moment i jashtëzakonshëm për Putinin - një udhëheqës që shumica e vendeve perëndimore e kanë shmangur që kur Moska nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Udhëtimet e tij ndërkombëtare që atëherë kanë qenë kryesisht të kufizuara në vende miqësore me Federatën Ruse, siç janë Koreja e Veriut dhe Bjellorusia.

Fakti që samiti i Alaskës u zhvillua ishte një fitore për Putinin.

Por kjo mirëseardhje do të kishte tejkaluar edhe ëndrrat më të egra të Kremlinit. Brenda gjashtë muajsh, Putini u shndërrua nga një i përjashtuar në sytë e Perëndimit në një të mirëpritur në tokën amerikane si një partner dhe mik.

Për ta përmbyllur, në një moment me sa duket të paparashikuar, Putin vendosi të pranonte një udhëtim me limuzinë të blinduar të Trump për në bazën ajrore, në vend që të ngiste makinën e tij shtetërore presidenciale me targa të Moskës.

Ndërsa automjeti u largua, kamerat u fokusuan te Putini, i cili ishte ulur në sediljen e pasme dhe qeshte.


'Herën tjetër në Moskë?': Pesë gjëra

Putini përballet me pyetje që nuk i bëhen kurrë

Në 25 vitet e tij si president i Rusisë, Putini ka arritur kontroll të plotë mbi median, duke shtypur liritë gazetareske dhe duke zëvendësuar informacionin me propagandë. Brenda Rusisë ai nuk has shpesh ndonjëherë  gazetarë armiqësorë.

Megjithatë, vetëm pak minuta pasi zbarkoi në Alaska, një gazetar bërtiti në drejtim të tij: "A do të ndaloni së vrari civilë?"

Nëse pyetja e shqetësoi, ai u tregua i vetëpërmbajtur duke ngrintur supet dhe duke shpërqendruar shikimin.

Gjatë një fotosesioni të shkurtër dhe disi kaotik, u bënë pyetje të tjera, përfshirë dhe në gjuhwn ruse nëse Putini do të ishte gati të takohej me Presidentin Volodymyr Zelensky për një samit trepalësh.

Përsëri, nuk pati asnjë reagim të dukshëm nga presidenti rus përtej një buzëqeshjeje të fshehtë.

Çfarë u tha kur bisedimet përfunduan më herët se sa pritej

Mediat botërore të mbledhura në dhomë me Putinin dhe Trumpin ishin udhëzuar të prisnin një konferencë për shtyp; në vend të kësaj, të dy udhëheqësit dhanë deklarata dhe nuk pranuan pyetje nga gazetarët.

Çuditërisht, Putini ishte i pari që foli. Ai vlerësoi "atmosferën konstruktive të respektit të ndërsjellë" të bisedimeve "fqinjësore", dhe më pas u ndal në një histori të përmbledhur të së kaluarës së Alaskës si territor rus.

Ndërsa Putini fliste, Trump qëndroi në heshtje. Kaluan disa minuta para se presidenti rus të përmendte atë që e quajti "situata në Ukrainë" - me sa duket katalizatori i samitit.

Kur e bëri këtë, e bëri për të deklaruar se, megjithëse ishte arritur një "marrëveshje" e paspecifikuar, "shkaqet rrënjësore" të konfliktit duhej të eliminoheshin përpara se të arrihej paqja.

Kjo frazë do të ketë ndezur kambanat e alarmit në Kiev dhe më gjerë.

Që nga fillimi i luftës, ajo është bërë shkurtim për një sërë kërkesash të pazgjidhshme dhe maksimaliste që Putini thotë se pengojnë një armëpushim.

Ato përfshijnë njohjen e sovranitetit rus mbi rajonet ukrainase të Krimesë, Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhies dhe Khersonit, si dhe rënien dakord të Ukrainës për demilitarizim, neutralitet, mospërfshirje ushtarake të huaja dhe zgjedhje të reja.

Në thelb, ato përbëjnë kapitullim  të papranueshëm për Kievin, por qartësisht  edhe pas tre vjet e gjysmë konflikti të përgjakshëm  ende të një rëndësie të madhe për Moskën. Me këtë, ishte e qartë se nuk kishte marrëveshje.

Dhe çfarë nuk u tha

Jashtëzakonisht – duke pasur parasysh kontekstin dhe premisën e samitit – kur erdhi radha e Trumpit për të folur, ai nuk e përmendi asnjëherë Ukrainën apo mundësinë e një armëpushimi.

Më afër që iu referua konfliktit ishte duke thënë se “pesë, gjashtë, shtatë mijë njerëz në javë” vriten dhe duke vënë në dukje se edhe Putini donte të shihte fundin e gjakderdhjes.

Trumpi, zakonisht i njohur pwr fjalime tw gjata, dukej se kishte më pak për të thënë sesa Putini.

Deklarata e tij ishte e dukshme për shkurtësinë e saj relative dhe të pazakontë por kryesisht për paqartësinë e saj.

"Kishte shumë, shumë pika për të cilat ramë dakord", tha Trump, duke shtuar se ishte bërë "përparim i madh" në një "takim jashtëzakonisht produktiv".

Por ai nuk dha asnjë detaj dhe nuk dukej se ishin ndërmarrë hapa konkretë drejt një zgjidhjeje të konfliktit ukrainas.

Nuk u njoftua asnjë marrëveshje e madhe apo një takim trepalësh me Presidentin Zelensky.

Dhe për lehtësimin e Moskës  nuk u përmend asnjë “pasojë e rëndë” që Trump kërcënoi se do të pasonte nëse nuk arrihej një armëpushim.

"Ne nuk arritëm atje," pranoi Trump.

Pastaj, me optimizëm, megjithëse në mënyrë të paqartë, ai shtoi: "Por kemi një shans shumë të mirë për të arritur atje."

'Herën tjetër në Moskë' - Putini bën një koment të rrallë në anglisht

Samiti mund të mos ketë arritur të sjellë ndonjë përparim të prekshëm drejt paqes në Ukrainë, por ai çimentoi afrimin midis Rusisë dhe SHBA-së.

Fotot e dy presidentëve duke shtrënguar duart dhe duke buzëqeshur vazhdimisht u përhapën gjerësisht në mediat sociale ashtu si edhe imazhet e ushtarakëve amerikanë të gjunjëzuar ndërsa shtronin qilimin e kuq në këmbët e avionit të Putinit.

Përpara se të përfundonte deklaratën e tij, Putin iu referua njërës prej temave të shpeshta të diskutimit të presidentit amerikan se konflikti në Ukrainë nuk do të kishte filluar kurrë nëse Trump do të ishte në pushtet.

Pavarësisht pohimit të Trump për "përparim të madh", asgjë thelbësore nuk u zbulua në samitin e Alaskës megjithatë të dy udhëheqësit lanë derën hapur për një takim tjetër, këtë herë në tokën ruse. "Ndoshta do t'ju shoh përsëri shumë shpejt", tha Trump.

Duke përfunduar një deklaratë të përbashkët ku nuk iu desh të bënte asnjë premtim, asnjë lëshim dhe asnjë kompromis, Putini mund të jetë ndjerë mjaftueshëm i qetë sa të fillonte të fliste anglisht një ngjarje e rrallë. Duke qeshur, ai e shikoi Trumpin dhe tha: "Herën tjetër në Moskë".

"Oh, kjo është interesante," tha Trump. "Do të kritikohem pak për këtë, por unë - mund ta shoh të mundshme që të ndodhë."/Përshtati në shqip Versus.al

Poll