BOTA /

Identifikohet “pacienti zero” i hantavirusit në anijen turistike, ja ku e si mund të jetë infektuar

Ornitologu humbi jetën pas një ekspedite për vrojtimin e shpendëve. Një çift holandez që udhëtonte prej muajsh në Amerikën e Jugut dyshohet se u infektua me hantavirus gjatë një ekspedite në Argjentinë. Burri vdiq në bordin e anijes turistike, ndërsa bashkëshortja humbi jetën pak ditë më vonë gjatë kthimit për në Europë.

Shkruar nga Versus

Identifikohet “pacienti zero” i hantavirusit në anijen

Autoritetet kanë identifikuar “pacientin zero” të shpërthimit të hantavirusit në një anije turistike si Leo Schilperoord, një ornitolog 70-vjeçar nga Holanda, pasioni i të cilit për shpendët dyshohet se i kushtoi jetën.

Leo dhe bashkëshortja e tij, Mirjam Schilperoord, 69 vjeç, kishin pesë muaj që udhëtonin në Amerikën e Jugut. Ata mbërritën në Argjentinë më 27 nëntor dhe më pas vijuan itinerarin në Kili dhe Uruguai, për t’u rikthyer sërish në Argjentinë në fund të marsit, ku morën pjesë në një ekspeditë vrojtimi shpendësh që rezultoi fatale.

Çifti ishte nga fshati i vogël Haulerwijk në Holandë dhe identiteti i tyre u konfirmua përmes njoftimeve mortore të publikuara në buletinin lokal të zonës.

Identifikohet “pacienti zero” i hantavirusit në anijen

Sipas autoriteteve argjentinase, dyshohet se çifti është infektuar në një landfill në Ushuaia, ku mund të kenë thithur grimca të kontaminuara nga jashtëqitjet e minjve “pygmy rice rats”, bartës të variantit andin të hantavirusit — forma e vetme e njohur deri tani që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.

Më 1 prill, çifti hipi në anijen turistike MV Hondius nga Ushuaia, së bashku me 112 pasagjerë të tjerë, shumë prej të cilëve studiues dhe entuziastë të vrojtimit të shpendëve.

Më 6 prill, Leo nisi të shfaqte simptoma si temperaturë, dhimbje koke, dhimbje stomaku dhe diarre. Gjendja e tij u përkeqësua me shpejtësi dhe ai ndërroi jetë në bord vetëm pesë ditë më vonë.

Bashkëshortja e tij, Mirjam, zbriti nga anija së bashku me trupin e pajetë të Leos më 24 prill, gjatë një ndalese në ishullin atlantik Shën Helena. Ajo udhëtoi drejt Johannesburg dhe më pas tentoi të merrte një fluturim të kompanisë KLM për në Holandë, por nuk arriti kurrë në destinacion.

Stafi i aeroportit e konsideroi shumë të sëmurë për të fluturuar dhe e detyroi të zbriste nga avioni. Mirjam u rrëzua në aeroport dhe vdiq një ditë më vonë.

Rasti ka ngritur shqetësime serioze tek autoritetet shëndetësore ndërkombëtare për shkak të rrezikut të përhapjes së variantit andin të hantavirusit, i cili konsiderohet një nga format më të rrezikshme të virusit.

 

 

Poll