
Tensionet në Lindjen e Mesme kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, pasi përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka sjellë sulme të reja dhe alarm në vendet e Gjirit.
Forcat e armatosura të Jordanisë njoftuan se kanë interceptuar dhe rrëzuar 8 raketa të lëshuara nga Irani. Jordania është një prej vendeve të rajonit që strehon baza ushtarake amerikane.
Më herët, objektiv i sulmeve iraniane u bënë edhe zona ushtarake amerikane në Kuvajt, Katar dhe Bahrein. Teherani deklaroi se këto sulme ishin hakmarrje ndaj bombardimeve amerikane kundër objektivave në territorin iranian.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të dytë sulmesh ndaj Republikës Islamike. Sipas autoriteteve amerikane, janë goditur rreth 90 objektiva, përfshirë edhe infrastrukturë të rëndësishme strategjike që lidhet me tregtinë me Kinën dhe Rusinë.
Gjatë bombardimeve është dëmtuar rëndë edhe një kullë kontrolli në një port të rëndësishëm, ndërsa sulmet janë cilësuar si më masivet dhe më të gjera krahasuar me ato të një nate më parë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Iran, bombardimet dyditore kanë shkaktuar 14 viktima dhe 78 të plagosur në qytete iraniane përgjatë zonës së Gjirit Persik.
Në shënjestër të sulmeve janë vendosur edhe zonat e Bandar Abbas dhe Bushehr, ku sipas mediave shtetërore iraniane është goditur edhe zona pranë një centrali bërthamor.
Përplasjet kanë ndikuar edhe në qarkullimin detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Më 8 korrik, numri i anijeve tregtare që kaluan në këtë zonë ishte më i ulët për shkak të rritjes së tensioneve.
Presidenti amerikan ka paralajmëruar Iranin se çdo vijim i sulmeve ndaj anijeve në Hormuz do të sjellë pasoja edhe më të rënda.
Sipas tij, Teherani po kërkon aktualisht një marrëveshje, por nuk është në gjendje ta respektojë atë.
Ndërkohë, sipas medias amerikane Axios, që citon zyrtarë të lartë amerikanë, përshkallëzimi i konfliktit mund të zgjasë nga disa ditë deri në disa javë, madje edhe deri në një muaj, në varësi të zhvillimeve të ardhshme./Versus.al

