
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka ndarë në rrjetet sociale një pjesë nga fjala e tij e mbajtur në Strasburg para eurodeputetëve të Parlamentit Europian. Sa i takon zhvillimeve të fundit në vend, Balla u përqendrua tek korrigjimi i eurodeputetëve duke ju thënë se Vjosa dhe Narta janë parqe të ndara dhe jo i njëjti park.
Ndërsa më tej u tha se nuk mund t’u jepnin leksione në këtë fushë, Balla tha se qeveria kishte anuluar disa leje ndërtimi për të mbrojtur Parkun e Vjosës.
“Në legjislacionin tonë nuk ekziston një park që quhet Vjosa-Narta, pra është një park i Vjosës dhe një tjetër park i Nartës, nuk është i përbashkët. Për këtë arsye u mundova t’ju informoja para 3 javësh dhe mendoj se kjo gjëja është bërë nga ju qëllimisht. E di për luftën e mirë që keni bërë për parkun e Vjosës që është zonë e mbrojtur 100% dhe ne jemi i vetmi vend që ka një park të tillë në Evropë. Besoj se ju duhet të mësoni prej nësh në këtë aspekt dhe të mos na jepni mësime sepse kemi anuluar shumë leje ndërtimi për Parkun e Vjosës”- tha Balla.
Përsa i takon aeroportit të Vlorës, Balla tha se është në dijeni të ankesës, por theksoi se në të njëjtën zonë më herët ka qenë aeroporti i ndërtuar nga italianët.
“Keni bërë një ankesë për aeroportin e Vlorës, por duhet ta dini se aty ka patur një aeroport shumë kohë më përpara dhe është një aeroport i ndërtuar nga italianët fatkeqësisht”-shtoi socialisti duke vijuar më tej: "Nuk ju ndërpreva, unë e njoh realitetin e vendit tim shumë herë sesa ju kështu që më respektoni në bazë të dispozitave të BE". Versus.al


