
Nga Kuvendi në Parlamentin Evropian, përplasjet mes PD dhe PS për projektin e Zvërnecit që ka ngritur në protesta prej afro 40 ditësh mijëra qytetarë kanë qenë të njëjta, me akuza e kundër akuza.
Në fjalën e tij, në takimin e përbashkët BE–Shqipëri në Parlamentin Europian, kreu i grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë është larguar nga funksioni i tij kushtetues dhe nuk po ushtron më rolin e kontrollit dhe mbikëqyrjes ndaj qeverisë.
Në fjalën e tij, Bardhi tha se Parlamenti është reduktuar në një institucion që, sipas tij, vetëm miraton vendimet e ekzekutivit dhe nuk garanton standardet demokratike të kërkuara në procesin e integrimit europian.
“Gjatë këtij sesioni parlamentar, opozita ka kërkuar 11 interpelanca me Kryeministrin. Asnjëra nuk është zhvilluar, sepse kryeminitri refuzon te jap llogari per aktet qe mbajne firmen e tij. Zero në 11 interpelanca të kërkuara.
Pa llogaridhënie parlamentare nuk mund të ketë as shtet të së drejtës, as institucione demokratike që funksionojnë sipas standardeve europiane, as integrim në Bashkimin Europian”, tha Bardhi.
Kurse kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi se autoritetet shqiptare respektojnë legjislacionin dhe standardet mjedisore të BE-së, ndërsa objektivi kryesor, sipas tij, është rritja e mirëqenies së qytetarëve.
"Respektojmë detyrimet tona ndaj BE-së. Evropa është standardi me të cilin masim transformimin dhe zhvillimin, çdo ditë, me çdo reformë. Respektojmë standardet në çdo fushë, përfshirë edhe mjedisin, por duam të jetë e qartë se qëllimi kryesor është përmirësimi i jetës së çdo qytetari shqiptar. Ata na zgjedhin dhe atyre u shërbejmë", tha Balla.
Në fjalën e tij ai u ndal edhe te procesi i negociatave me Bashkimin Europian, duke theksuar se Shqipëria pret hapjen e etapave të reja të bisedimeve dhe përmbylljen e tre kapitujve negociues.
“Për të avancuar me reformat është kërkuar vullnet politik, vendosmëri, reforma të vështira dhe ka kërkuar përpjekje të vazhdueshme nga shumë institucione dhe shumë njerëz.
Ne kemi punuar intensivisht së bashku për këtë moment, plotësisht të vetëdijshëm për domethënien e tij jo vetëm për institucionet tona, por mbi të gjitha për vendin që i takon me të drejtë Shqipërisë në familjen europiane”, tha Balla./Versus.al

