POLITIKË /

4 mln euro nga emergjencat për Kanye West, Rama: U bë për të mos u turpëruar në sytë e 25 mijë të huajve

Nga 60 mijë bileta të mundshme për koncertin e Kanye West, 25 mijë prej tyre janë blerë nga të huajt. Rama tha se pagesa ishte e detyrueshme për të mos u turpëruar duke anuluar koncertin.

Shkruar nga Versus
4 mln euro nga emergjencat për Kanye West, Rama: U bë për të
Edi Rama, Kanye West

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas kritikave të shumta në rrjetet sociale lidhur me shumën prej 4 milionë eurosh të dhënë nga qeveria për koncertin e reperit Kanye Ëest që performon në Tiranë më 11 korrik.

Rama shkruan se shuma e nxjerrë nga fondi i emergjencave ishte e domosdoshme për të mos e turpëruar Shqipërinë në sytë e 25 mijë të huajve që kanë blerë biletat për koncertin. Sipas tij, krahasuar me 160 milionë eurot që u gjeneruan në ekonomi gjatë finales së Conferencë League, për këtë koncert priten jo më pak se 100 milionë euro të gjeneruara në ekonomi.

Ndërsa më poshtë vijon duke rikujtuar masat e sociale të ndërmarra në shëndetësi e deri tek bonusi i dhënë për pensionistët që u mor nga fitimet e rritjes së çmimit të naftës.

Reagimi i plotë:

4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West;  për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës; për të stimuluar ekonominë, e cila sa për një shembull, sipas UEFA-s, pati një hyrje prej 160 milionë eurosh nga Finalja e Conference League-s, ndërkohë që nga ky koncert - në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve - ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura. Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com për të premten, të shtunën e të dielën, për të krijuar një ide të përfitimit direkt ekonomik për familjet, biznesin dhe arkën e bashkisë e të shtetit, nga rritja e konsumit, pa llogaritur këtu fare përfitimin e shtrirë në kohë.

Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale, janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht.

Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur me këtë rast nga duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë papushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profilesh fallco, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare.

U kujtoj të tërëve se vetëm pak ditë më parë, ne nxorrëm 15 milionë Euro plus vetëm për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore; dyfishuam mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar dhe mbështetëm kujdestarët e tyre; dyfishuam mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta; dyfishuam financimin e Start Up-eve; dyfishuam garancinë sovrane për programin dyfisho biznesin tënd; financuam një paketë të tërë ekstra për zhvillimin urban e rural, mbrojtjen dhe të gjitha këto e të tjera akoma ishin në Aktin Normativ të fundqershorit, ku qershia mbi tortë ishte padyshim bonusi i pensionistëve.

Tani çfarë duan sorrat dhe korbat që e privatizuan djallëzisht protestën qytetare të flamingove, duke i detyruar të shtegtojnë larg bulevardit?

Shumë e thjeshtë:

Duan të ndalin dhe kthejnë mbrapa Shqipërinë! Me dhunën e arbitraritetit, të sharjeve, të shpifjeve, të akuzave dhe kërcënimeve për këdo që mendon ndryshe prej tyre!

Ta harrojnë! Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht. Versus.al

Poll