
Socialistët e demokratët nuk janë dakordësuar as në Strasburg përsa i përket rezolutës së përbashkët me Parlamentin Europian. Deklarata e përbashkët që miratohet në përfundim të takimeve periodike mes Shqipërisë dhe BE, mban vlerësimet për ecurinë e vendit.
Kjo deklaratë pati 7 vota pro dhe 7 kundër, ndërsa PD pretendon se socialistët rrëzuan amendamentet e tyre. PS e mohon diçka të tillë duke thënë se ka miratuar një pjesë të amendamenteve.
“Mazhoranca votoi kundër propozimeve që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen dorë nga mbrojtja politike që u ofrohet zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, zbatimin e vendimeve të gjykatave, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies. Këto janë standarde themelore që Bashkimi Evropian i konsideron të domosdoshme për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe për përparimin e procesit të integrimit”, thotë PD.
Ndërsa në reagimin e kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla thuhet se nuk mund të pranohej tentativa e demokratëve për të deformuar balancën e dokumentit.
“Deputetët e Partisë Socialiste votuan një pjesë të amendamenteve të Partisë Demokratike, me përjashtim të formulimeve që nuk pasqyronin frymën e një dokumenti të përbashkët parlamentar. Nuk mund të pranohej tentativa për të deformuar balancën e dokumentit, përmes përjashtimit të plotë të çdo reference që pasqyron progresin e njohur dhe të certifikuar nga raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë dhe njoftimin për përmbylljen e kapitujve të negociatave”- u shpreh Balla.
Procesi i votimit të deklaratës së përbashkët në Komitetin e Stabilizim Asociimit kërkon shumicë të dyfishtë, pra shumicën e anëtarëve të delegacioni shqiptar prej 14 deputetësh (7 të PS dhe 7 të PD) si dhe 14 eurodeptutetë të PE. As delegacioni i PE nuk arriti të bënte shumicën dhe deklarata e përbashkët arriti të merrte vetëm 5 vota të eurodeputetëve. Versus.al

