
Kryeministri Edi Rama në një intervistë dhënë CNN turk deklaroi se vendimi për projektin turistik në Zvërnec do të jepet pasi të vlerësohet nga ekspertët e mjedisit.
I pyetur për zhvillimet politike në Shqipëri dhe protestat që kanë hyrë në ditën e 40-të, Rama tha se nuk janë debatet politike ato që do të dëgjohen por vlerësimet mjedisore.
Rama deklaroi se Shqipëria është bërë një nga destinacionet në rritje të turizmit, dhe gjithashtu iu drejtua kritikave në lidhje me projektin e planifikuar të turizmit në rajonin e Zvernikut.
Ai tha se i marrin seriozisht kritikat mjedisore, por vuri në dukje se ende nuk ka një projekt të përfunduar.
Rama deklaroi se diskutimet aktualisht kanë më shumë një dimension ideologjik.
"Ne gjithmonë i mirëpresim kritikat sepse jemi një shoqëri e lirë. Por ka një problem të vogël: ende nuk ka një projekt për të kritikuar. Sepse projekti është ende në fazën e përgatitjes."
Duke iu përgjigjur akuzave se projekti është i lidhur me familjen e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Rama tha se procesi është shndërruar në një debat politik në sferën publike.
Ai vuri në dukje se përfshirja e Jared Kushner e ka bërë diskutimin të dukshëm në një shkallë globale dhe theksoi se vendimet duhet të merren bazuar në ekspertizën teknike.
Rama deklaroi se ekuilibri midis mjedisit dhe zhvillimit ekonomik do të vendoset përmes punës së planifikuesve urbanë, inxhinierëve mjedisorë dhe ekspertëve të tjerë.
"Kur bëhet fjalë për detaje të tilla teknike, vendimi nuk mund t'i lihet vlerësimit të menjëhershëm të publikut. Por kur ka një projekt konkret, vlerësimi i publikut, sigurisht, do të jetë shumë i rëndësishëm."
Ai tha se kritikat mjedisore janë të mirëpritura, por vendimmarrja do të mbështetet në vlerësimet e ekspertëve dhe jo në debatet politike.
Rama foli gjatë intervistës për CNN Turk dhe për raportin me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, të cilin e cilësoi atë si një mik shumë të afërt dhe një partner strategjik për Shqipërinë.
“Marrëdhënia jonë është vëllazërore. Ai është një mik shumë i ngushtë dhe ka bërë përpjekje të mëdha për ta çuar partneritetin mes Shqipërisë dhe Turqisë në një nivel strategjik,” deklaroi Rama.
Rama konfirmoi se Shqipëria pritet të jetë mikpritëse e Samitit të ardhshëm të NATO-s.
Ai shpjegoi se, edhe pse kjo nuk u përfshi në komunikatën përfundimtare, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka bërë të ditur se samiti do të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa mbeten për t'u finalizuar vetëm çështjet e planifikimit./Versus.al

