
Neil, foka elefant që u bë një sensacion në rrjetet sociale pas “aventurave” të tij në rrugët e Tasmanisë, është rikthyer në det pas disa javësh qëndrimi në tokë.
Foka pesëvjeçare, me peshë rreth një ton, kishte dalë në breg në jug të Tasmanisë, ku u bë e njohur për sjelljen e saj të pazakontë.
Videot e Neil duke dëmtuar tabela e shtylla, si dhe duke u shtrirë në rrugë pranë gardheve, u bënë virale dhe morën miliona shikime në internet.
Prania e tij tërhoqi edhe shumë vizitorë në zonë, ndërsa autoritetet u detyruan të merrnin masa për të garantuar sigurinë e njerëzve dhe të kafshës.
Departamenti i Burimeve Natyrore dhe Mjedisit i Tasmanisë njoftoi se Neil është larguar nga zona dhe është kthyer në habitatin e tij natyror.
“Neil u kthye shëndoshë e mirë në det mbrëmë. Kjo është sjellja e tij normale dhe ishte e pritshme”, thuhej në deklaratën e autoriteteve.
Ekspertët bëjnë të ditur se nuk përjashtohet mundësia që foka të rikthehet sërish në breg, pasi ajo zbret në këtë zonë dy herë në vit për të pushuar dhe për të ndërruar qimet./Versus.al

