BOTA /

Italia merr masa kundër vapës ekstreme: ndalohet puna jashtë, lehtësi për të moshuarit

Rajone të ndryshme kanë nxjerrë urdhra të posaçëm, që parashikojnë ndalimin e punës në ambiente të hapura – si kantierë, fusha, gurore dhe sera – gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Shkruar nga Versus

Italia merr masa kundër vapës ekstreme: ndalohet puna jashtë,

Përballë temperaturave rekord që kanë përfshirë vendin, Italia ka ndërmarrë masa konkrete për mbrojtjen e punëtorëve dhe grupeve të rrezikuara nga i nxehti përvëlues.

Rajone të ndryshme kanë nxjerrë urdhra të posaçëm, që parashikojnë ndalimin e punës në ambiente të hapura – si kantierë, fusha, gurore dhe sera – gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Vendimi i parë u mor nga Lazio, ku është ndaluar puna në natyrë nga ora 12:30 deri në 16:00, në ditët me rrezik të lartë për shëndetin. Masa do të jetë në fuqi deri më 31 gusht, dhe rajonet e tjera, përfshirë Lombardinë, Emilinë-Romagnën, Puglinë, Toskanën dhe Kalabrinë, kanë ndjekur të njëjtin model, me ndryshime të vogla në datat apo zbatimin.

Në disa raste, punëtorët në terminalet logjistike janë përfshirë për herë të parë në listën e atyre që gëzojnë mbrojtje nga ekspozimi ndaj të nxehtit ekstrem.

Ndërkohë, janë marrë edhe masa për të lehtësuar lëvizjen e të moshuarve. Në Genova, për shembull, qytetarët mbi 70 vjeç mund të përdorin transportin publik falas që nga ora 07:30 e mëngjesit, në vend të orës 09:30 si më parë – një nismë për të nxitur lëvizjet në orët më të freskëta.

Autoritetet rajonale theksojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë gjithnjë e më të shpeshta valët ekstreme të të nxehtit, dhe mbrojtja e shëndetit të punëtorëve është kthyer në prioritet. Sindikatat kërkojnë tani që këto masa të shoqërohen edhe me mbështetje ekonomike në nivel kombëtar, për të kompensuar orët e humbura të punës./Versus.al

Poll