BOTA /

Italianët votojnë në referendumin për reformën në drejtësi

Ky votim rrezikon të shndërrohet në referendum për vetë udhëheqësen e ekstremit të djathtë, para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Shkruar nga Versus

Italianët votojnë në referendumin për reformën në

Italianët të dielën nisën votimin në referendumin dyditor për reforma, që kryeministrja Giorgia Meloni, thotë se do ta bëjnë sistemin e drejtësisë më të pavarur, por kritikët argumentojnë të kundërtën.

Ky votim rrezikon të shndërrohet në referendum për vetë udhëheqësen e ekstremit të djathtë, para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Qeveria e krahut të djathtë e Melonit dëshiron ta ndryshojë Kushtetutën e Italisë për të ndarë rolin e gjykatësve dhe prokurorëve dhe për të reformuar trupin mbikëqyrës të tyre.

Ajo thotë se plani është i domosdoshëm për të garantuar paanshmërinë dhe për të përmirësuar funksionimin e sistemit të drejtësisë në Itali, i cili po përballet me probleme.

“Do ta bëjë atë më modern, më meritokratik, më autonom, më të përgjegjshëm dhe mbi të gjitha, të lirë nga kufizimet politike”, tha Meloni në një video të publikuar këtë javë.

Por, kritikët e dënojnë atë si kapje e pushtetit nga politika që nuk adreson sfidat reale, nga gjyqet që zgjasin vite të tëra deri te mbipopullimi i burgjeve.

Elly Schlein, udhëheqësja e Partisë Demokratike të qendrës së majtë, tha se plani ishte i projektuar keq dhe “dobëson pavarësinë e sistemit të drejtësisë”.

Sondazhet sugjerojnë se dy kampet për dhe kundër reformës në drejtësi janë pothuajse të barabarta.

Një “Jo” e qartë do të ishte goditje për Melonin, e cila udhëheq një koalicion të qëndrueshëm qeverisës që nga tetori i vitit 2022.

Megjithatë, ajo ka hedhur poshtë sugjerimet se do të japë dorëheqje nëse planet e saj për reformën në drejtësi nuk kalojnë në referendum.

Votimet do të mbyllen në orën 14:00 të hënën dhe rezultatet preliminare pritet më vonë gjatë kësaj dite.

Kryeministri i ndjerë konservator, Silvio Berlusconi, njihej për betejat e tij me drejtësinë.

Meloni dhe ministrat e saj vazhdimisht kanë kundërshtuar vendimet e gjyqësorit, veçmas sa i përket çështjes së imigrimit.

Reforma e tyre ka shkaktuar një opozitë të fortë brenda sistemit gjyqësor, me më shumë se 80 për qind të anëtarëve të Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve të Italisë që zhvilluan një grevë njëditore vitin e kaluar.

Fushata për referendumin ka qenë e ashpër.

Në një përplasje publike muajin e kaluar, Carlo Nordio tha se reforma do të korrigjonte një “mekanizëm mafie” brenda sistemit gjyqësor.

Gjithashtu, Giusi Bartolozzi, shefe e stafit të Nordios, u kritikua gjerësisht kur gjatë një emisioni televiziv tha se reforma do të “shpëtonte” gjykatësit që vepronin si “skuadra ekzekutimi”.

Pjesa që ka nxitur më shumë polemika e reformës përfshin ndryshimet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë (CSM), një organ mbikëqyrës dhe disiplinor, ku anëtarët zgjidhen nga kolegët e tyre dhe Parlamenti.

Reforma do të ndante CSM-në në dy këshilla të veçanta, një për gjyqtarët dhe një për prokurorët, dhe do të krijonte një gjykatë disiplinore të re me 15 anëtarë.

Anëtarët do të përzgjidheshin me short, jo më me votim nga kolegët e tyre gjykatës dhe prokurorë, ku tre anëtarë do të zgjidheshin nga presidenti i Italisë dhe tre të tjerë nga një listë avokatësh me përvojë, të cilët do të miratoheshin nga Parlamenti.

Franco Moretti, avokati që udhëheq fushatën “Jo”, tha se gjykata e re rrezikon të bëhet “krah i armatosur i politikës”.

Pjesa e dytë e reformës do të parandalonte gjyqtarët dhe prokurorët publikë të ndryshonin funksion midis dy roleve, duke adresuar shqetësimet se marrëdhëniet tepër të afërta midis dy grupeve dëmtojnë të akuzuarit.

Kritikët përgjigjen se vetëm një pakicë e vogël ndryshon role. Në çdo rast, që nga viti 2022 ata lejohet të ndryshojnë vetëm një herë funksion, dhe vetëm gjatë dekadës së parë të karrierës së tyre.

Referendumet në Itali mund të jenë politikisht të rrezikshme. Në vitin 2016, kryeministri i atëhershëm, Matteo Renzi, vuri bast karrierën e tij në një reformë kushtetuese që votuesit e refuzuan, duke rrëzuar Qeverinë e tij. /REL 

Poll