
Izraeli, Libani dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje kornizë trepalëshe pas bisedimeve intensive të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar një hap të ri në përpjekjet për uljen e tensioneve në rajon.
Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë Sekretari i Shtetit amerikan Marco Rubio, i cili deklaroi se marrëveshja përfaqëson vetëm fillimin e një procesi të gjatë dhe kompleks.
“Është fillimi i fillimit. Kemi shumë punë përpara,” u shpreh Rubio, duke theksuar se palët ende kanë çështje të rëndësishme për të zgjidhur.
Marrëveshja vjen pas pesë raundeve negociatash mes Izrael dhe Liban, me ndërmjetësimin amerikan, ku u diskutuan çështje të ndjeshme të sigurisë dhe kufijve.
Sipas propozimeve të mbështetura nga SHBA, parashikohet që forcat izraelite të dorëzojnë disa zona ushtrisë libaneze, ndërsa Libani kërkon tërheqje të plotë të trupave izraelite nga territori i tij.
Nga ana tjetër, Izraeli ka vendosur si kusht kryesor çarmatimin e plotë të Hezbollah dhe garanci që grupi nuk do të rikthejë praninë e tij ushtarake pranë kufirit.
Procesi i negociatave ka qenë i shoqëruar me tensione në terren, përfshirë edhe incidente të raportuara në kufi, ndërsa palët pritet të vijojnë diskutimet për zbatimin e marrëveshjes.Versus.al

