Roman Novak nga Shën Petersburgu - themeluesi i një platforme kriptomonedhash - dhe gruaja e tij Anna u gjetën të vdekur në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Familja e tyre raportoi zhdukjen e çiftit rreth një muaj më parë pasi kishin humbur kontaktet me çiftin.
Sipas faqes ruse të internetit Fontanka, çifti u vra në një vilë me qira në rajonin Hatta, pranë kufirit me Omanin, ku u joshën me pretekstin e takimit me investitorë potencialë. Motivi i mundshëm për krimin duket të jetë zhvatja.
Sipas Deutsche Welle, Roman Novak ishte i njohur për krijimin e platformës Fintopio, e cila ofronte transferta të shpejta kriptomonedhash.
Ai kishte tërhequr rreth 500 milionë dollarë investime përpara se të zhdukej me paratë, duke i lënë punonjësit e tij pa pagesë, ndërsa investitorët, përfshirë biznesmenë kinezë dhe të Lindjes së Mesme, humbën paratë e tyre.
Për të tërhequr investitorë në projektin e tij, ai pretendoi se kishte lidhje me princat arabë dhe themeluesin e Telegram Pavel Durov, megjithëse Durov mohoi çdo njohje.
Në nëntor 2020, Novak u dënua me gjashtë vjet burg për përvetësim të 100,000 dollarëve nga partneri i tij.
Sipas të njëjtit informacion , autorët dyshohet se kërkuan të fitonin akses në portofolin e kriptomonedhave të Novak, në të cilin, siç besonin ata, ruheshin miliarda dollarë.
Megjithatë, portofoli rezultoi të ishte bosh. Pas kësaj, çifti u vra, trupat e tyre u copëtuan dhe pjesët e trupit të tyre u vendosën në qese.
Qeset u gjetën në kazanë të ndryshëm pranë një qendre tregtare në rajonin Khata.
Komiteti Hetimor Rus njoftoi se kishte hapur një çështje penale për vrasjen e dy personave.
Sipas autoriteteve, çifti u nis më 2 tetor për t'u takuar me "investitorë të panjohur" në rajonin Khata. Shoferi i la ata pranë një liqeni, nga ku hipën në një automjet tjetër dhe ikën.
Sipas Fontanka, policia ka arrestuar tetë persona në këtë rast, të paktën tre prej të cilëve janë nga Shën Petersburgu./Versus.al
