Më 5 korrik mbahet koncerti më i madh në historinë evropiane në Zagreb: Gjysmë milioni bileta janë shitur për koncertin e yllit të muzikës pop, ekstremistin e djathtë, Marko Perkoviç "Thompson".
Kryeqyteti i Kroacisë nuk ka përjetuar kurrë një tension të tillë në prag të një eventi kulturor. Koncerti i këngëtarit nacionalist të djathtë, Marko Perkoviç, i njohur edhe si "Thompson", që zhvillohet të shtunën më 5 korrik 2025, në Zagreb, tejkalon të gjitha eventet e krahasueshme.
Kjo nuk ka të bëjë vetëm me pikëpamjet ekstreme politike të muzikantit 58-vjeçar, i cili e quan veten sipas mitralozit ("Thompson") që përdori në luftën e Kroacisë për pavarësi nga viti 1992 deri në vitin 1995.
E diskutueshmë është po ashtu se si qyteti me 800,000 banorë do të përballojë afërsisht 500,000 shikues të koncertit që kanë blerë bileta paraprakisht deri më sot. Duke pasur parasysh këtë turmë, ekziston frika e një kolapsit të trafikut, kujdesit shëndetësor dhe sigurisë publike në skenarin më të keq.
Edhe sigurimi i koncertit është një sfidë për Kroacinë, një vend me katër milionë banorë. Kësaj i shtohen shërbimet e emergjencës, parkimi dhe transporti publik.
Në të njëjtën kohë, debati rreth arsyeve të popullaritetit të Perkoviç vazhdon. Është e padiskutueshme që paraqitjet e "Thompson" në festime të ndryshme të fitores së ekipit kombëtar kroat të futbollit dhanë një kontribut të madh në karrierën e tij.
Politikanë kryesorë nga shteti më i ri anëtar i BE-së ishin të pranishëm në disa raste - edhe pse "Thompson" i lavdëron hapur fashistët ustashë kroatë, të cilët ishin aleatë me Gjermaninë e Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore, në këngët dhe koncertet e tij.
Ekstremizëm i djathtë i pranueshëm?
"Duke pasur parasysh zhvendosjen e përgjithshme djathtas, jo vetëm në Kroaci, por në të gjithë Evropën dhe botën, popullariteti i Thompson nuk është i habitshëm", thotë muzikologia dhe historiania Lada Durakoviq në një intervistë me DW.
Në Kroaci, arsyeja e suksesit të këngëtarit ekstremist të krahut të djathtë është më pak lufta midis kroatëve dhe serbëve në vitet 1990 sesa pushtimi serb i një të tretës së Kroacisë në vitin 1992 dhe çlirimi i mëvonshëm i vendit në vitin 1995. Gjatë kësaj periudhe, ekstremizmi i krahut të djathtë u bë i pranueshëm në shoqërinë kroate - me iniciativën e elitave të vendit.
Për shembull, përdorimi i përshëndetjes ustashe "Për atdheun - gati!" (kroatisht: Za dom - spremni) u legalizua. Thompson e përdor përshëndetjen në performancat e tij, për shembull, si hyrje në hitin e tij të parë dhe ndoshta më të madh, "Cavoglave" - emri i fshatit nga vjen këngëtari dhe të cilin e mbrojti kundër luftëtarëve serbë gjatë luftës. Perkoviç demonstron hapur edhe qëndrimin e tij pro-kroat në këngë të tjera, të tilla si "Lijepa li si" (Sa e bukur je), në të cilën ai përshkruan një rajon të Bosnjë-Hercegovinës fqinje si pjesë të Kroacisë.
Reagimi ndaj frustrimit të thellë shoqëror
"Në një vend ku Akademia e Shkencave dhe Arteve e zbardh ikonografinë ustashe, simbolet ustashe në koncertet e Thompson nuk janë një skandal, por pjesë e procesit të normalizimit institucional të revizionizmit historik", thotë Lada Durakoviç.
Në këtë drejtim, Perkoviç është "pjesë e një politike kulturore të miratuar nga shteti". Për të paktën një pjesë të audiencës, popullariteti i Thompson është një vendim i vetëdijshëm ideologjik: "Këta njerëz ndajnë narrativën e tij; ata mbështesin banalizimin dhe relativizimin e krimeve fashiste".
Por është një thjeshtëzim i tepërt të shikosh popullaritetin e këngëtarit ekstremist të krahut të djathtë vetëm nga një perspektivë politike. Muzika e tij është të paktën po aq e rëndësishme: "Modele hard rock ose heavy metal me refrene melodike dhe ritme të forta, tranzicione të thjeshta harmonike, kitara të shtrembëruara, bateri të fuqishme, përdorimi i instrumenteve tradicionale dhe vokale të artikuluara dominuese emocionalisht - ky është thelbi i apelit të Thompson", thotë Durakoviç.
"Thompson ofron përgjigje për probleme të tilla si pasiguria materiale, çorientimi kulturor, boshllëku simbolik. Kush jemi ne? Çfarë kemi mbijetuar? Për çfarë kemi luftuar? A është kjo Kroacia që ëndërruam? Dhe përgjigjet e tij janë: Vuajtja juaj është legjitime, përkatësia ndaj popullit kroat është e shenjtë, sakrifica juaj është e vërtetë dhe historike".
"Thompson" është "një hartë e qëndrueshme afektive" për shumë njerëz në Kroaci, vazhdon Durakoviç. "E di si ndiheni - dhe muzika ime konfirmon se keni të drejtë", thotë ai.
Prandaj, Perkoviq nuk është si "çdo këngëtar, por një qendër emocionale për mijëra, një rregullator i ndjenjës së identitetit, një prodhues i një lloj kohezioni afektiv kolektiv që përcjell një ndjenjë rendi, kuptimi dhe përkatësie në një shoqëri me pasiguri të thellë"./ DW







