
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka thënë se territori i vetëqeverisur danez dëshiron të mbetet pjesë e Danimarkës në vend që t'i bashkohet Shteteve të Bashkuara, mes përpjekjeve të vazhdueshme të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të marrë përsipër ishullin.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Kopenhagen së bashku me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, Nielsen tha se territori autonom i Arktikut do të preferonte të mbetej danez.
“Tani po përballemi me një krizë gjeopolitike dhe nëse duhet të zgjedhim midis Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës këtu dhe tani, ne zgjedhim Danimarkën”, tha ai.
Frederiksen tha se nuk kishte qenë e lehtë t’i bëhej ballë asaj që ajo e cilësoi si “presion krejtësisht të papranueshëm nga aleati ynë më i ngushtë”.
Komentet e Nielsen erdhën një ditë pasi qeveria e Groenlandës hodhi poshtë kërcënimet e Trump për një marrje të saj nën kontroll.
“Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur edhe një herë dëshirën e tyre për të marrë Groenlandën. Kjo është diçka që koalicioni qeverisës në Groenlandë nuk mund ta pranojë në asnjë rrethanë”, tha qeveria e koalicionit të ishullit.
“Si pjesë e komonuelthit danez, Groenlanda është anëtare e NATO-s dhe mbrojtja e Groenlandës duhet të bëhet nëpërmjet NATO-s”, shtoi ajo.
Trump ka këmbëngulur se do ta pushtojë Groenlandën, duke kërcënuar se territori do të vihet nën kontrollin e SHBA-së “në një mënyrë ose në një tjetër”.
Këto kërcënime kanë krijuar një krizë për NATO-n, duke shkaktuar zemërim nga aleatët evropianë të cilët kanë paralajmëruar se çdo marrje e Grenlandës do të kishte pasoja serioze për lidhjet midis SHBA-së dhe Evropës.
Aaja Chemnitz, një politikane nga Groenlanda në parlamentin danez, i tha Al Jazeera se shumica e 56,000 banorëve të Groenlandës nuk donin të bëheshin qytetarë amerikanë.
“Grenlanda nuk është në shitje dhe Grenlanda nuk do të jetë kurrë në shitje”, tha Chemnitz, nga partia Inuit Ataqatigiit.
“Njerëzit duket se mendojnë se mund ta blejnë shpirtin e Groenlandës.
Është identiteti ynë, gjuha jonë, kultura jonë dhe do të dukej krejtësisht ndryshe nëse do të bëheshe shtetas amerikan, dhe kjo nuk është diçka që shumica në Groenlandë e dëshiron.”/Versus.al

