BOTA /

Kush është Marta Kos, komisionerja e BE-së që po akuzohet si ish-bashkëpunëtore e UDB-së jugosllave

Eurodeputetja sllovene Romana Tomc, kërkon hetim për të kaluarën e diplomates së BE-së, ndërsa vetë Kos i quan pretendimet “gënjeshtra dhe dezinformim”.

Shkruar nga Versus

Kush është Marta Kos, komisionerja e BE-së që po akuzohet si

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, është përfshirë sërish në një debat të fortë politik pas akuzave se në vitet ’80 mund të ketë bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave UDBA.

Akuzat janë ngritur nga eurodeputetja sllovene Romana Tomc, e cila pretendon se ka siguruar dokumente të reja dhe ka kërkuar që Komisioni Evropian të hapë një hetim për këtë çështje.

Pretendimet nuk janë të reja. Ato u përmendën edhe gjatë seancës së konfirmimit të Kos në Parlamenti Evropian në vitin 2024, por komisionerja i hodhi poshtë kategorikisht, duke i cilësuar si “gënjeshtra dhe dezinformim”.

Debati është rindezur së fundmi pas publikimit të një libri nga autori slloven Igor Omerza, i cili pretendon se dokumente arkivore sugjerojnë lidhje të saj me shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian ka deklaruar se Kos ka kaluar një proces të plotë verifikimi dhe është konfirmuar normalisht në detyrë nga Parlamenti Evropian.

Çështja kthehet në debat politik
Kontroversia ka marrë edhe ngjyrime politike në Slloveni, veçanërisht në prag të zgjedhjeve, ndërsa pritet që Kos të përballet me pyetje të reja në Parlamentin Evropian lidhur me këto akuza.

Marta Kos mban postin e Komisioneres së BE-së për Zgjerim që nga viti 2024, duke pasuar në këtë detyrë Oliver Varhelyi.

Gjatë kohës kur shërbente si ambasadore në Gjermani, ajo u njoh me Ursula von der Leyen, e cila në atë periudhë mbante postin e ministres së Mbrojtjes.

Një karrierë e gjatë në diplomaci dhe politikë
Kos ka ndërtuar një karrierë të gjerë në diplomaci. Ajo ka shërbyer si ambasadore e Slloveni në Zvicër, Gjermani, Letoni dhe Lihtenshtajn.

Në vitin 2020 ajo dha dorëheqjen nga posti i ambasadores në Zvicër, duke përmendur mospajtime me politikën e jashtme të qeverisë. Media sllovene Dnevnik raportoi se ndaj saj kishte pasur edhe ankesa nga punonjës të ambasadës për mënyrën e menaxhimit të institucionit.

Në politikë, ajo ishte nënkryetare e partisë Lëvizja e Lirisë dhe në vitin 2022 shpalli kandidaturën për presidente të Sllovenisë, por më vonë u tërhoq nga gara dhe u largua edhe nga partia.

Para karrierës diplomatike, Kos kishte punuar si gazetare në RTV Slovenija dhe më pas si korrespondente në Gjermani për Deutsche Welle.

Përveç diplomacisë, ajo ka qenë edhe sportiste elitare në not, duke përfaqësuar si Slloveninë ashtu edhe ish-Jugosllavinë në gara ndërkombëtare.

Gjatë karrierës së saj ka marrë disa vlerësime të rëndësishme, mes tyre dekoratën gjermane Kryqi i Madh i Meritës i Republikës Federale të Gjermanisë.

Megjithatë, pavarësisht këtij profili të gjatë profesional, debati për të kaluarën e saj vazhdon të mbetet i hapur dhe pritet të rikthehet në vëmendje edhe në institucionet evropiane në javët në vijim.

Poll