
Virusi Hantavirus u vu në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pas rastit tragjik që përfshiu aktorin amerikan Gene Hackman dhe bashkëshorten e tij, Betsy Arakawa.
Sipas hetimeve mjeko-ligjore, Arakawa dyshohet se ka ndërruar jetë më 11 shkurt 2025 nga sindroma pulmonare e shkaktuar nga Hantavirusi, një infeksion i rëndë respirator që transmetohet nga kontakti me brejtës të infektuar. Ndërkohë, aktori i njohur fitues i çmimit Oscar dyshohet se ka vdekur disa ditë më vonë nga insuficiencë kardiake, e përkeqësuar nga sëmundja e avancuar e Alzheimerit.

Zbulimi i trupave të pajetë në vilën e çiftit në Santa Fe u kthye shpejt në një rast me jehonë ndërkombëtare, pasi autoritetet raportuan kushte të rënduara jetese dhe izolim të plotë të çiftit.
Pamjet e publikuara nga kamerat e trupit të policisë tregonin ambiente të rrëmujshme dhe shenja të dukshme degradimi në shtëpi. Hetimet më të thelluara zbuluan gjithashtu praninë e madhe të brejtësve në pronë, përfshirë jashtëqitje, fole dhe gjurmë minjsh në garazh, ndërtesa ndihmëse dhe hapësira të tjera.
Ekspertët shëndetësorë vlerësojnë se pikërisht ky ambient i infektuar mund të ketë krijuar kushtet për përhapjen e virusit, duke çuar në tragjedinë që tronditi opinionin publik ndërkombëtar.

