
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbajti fjalën e tij në mbledhjen solemne të qeverisë në kuadër të 18 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit. Duke e cilësuar këtë si ditë feste dhe reflektimi, Kurti tha se në këtë ditë nuk mund të mos kujtohet fakti se 4 prej ish-krerëve të UÇK mbahen padrejtësisht në Hagë.
“Nderojmë qëndresën dhe sakrificën e popullit, nderojmë heronjtë dhe veprimtarët e rënë ndër shekuj, rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura pas Luftës së Dytë Botërore, që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot pavarësia jonë mbush 18 vjet. Mbase një moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull. Vërtet shteti, pavarësia dhe kushtetuta jonë është e re, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Secili qytetar pavarësisht gjuhës apo etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit”, tha ai.
Duke renditur disa prej arritjeve të Kosovës në arenën ndërkombëtare, Kurti nënvizoi edhe faktin se kontributi i ish-krerëve të UÇK që sot mbahen padrejtësisht në Hagë, ka qenë i çmuar për vendin dhe se historia do të bëjë gjykimin e drejtë.
“Në këto 18 vite kemi arritur shumë si shtet dhe si shoqëri. Nga ditët e para të njohjeve ndërkombëtare, të cilat tani numërojnë 121 sosh, e deri te konsolidimi i institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit. Nga ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme e në rritje, te forcimi i ushtrisë sonë dhe i kapaciteteve mbrojtëse. Nga fitoret ndërkombëtare në sport, art e kulturë, te pjesëmarrja në forume botërore. Nga lëvizja e lirë pa viza te hapat konkretë drejt integrimit evropian, përfshirë aplikimin në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, të cilat janë arritje që na bëjnë krenarë të gjithë. Në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtoj se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së republikës sonë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë”, shtoi Kurti. Versus.al


