BOTA /

Netanyahu vijon "presionin" për plan sigurie për kontrollin e plotë të Gazës

Në një intervistë për Fox News, Netanyahu deklaroi se Izraeli ka synim të marrë “kontrollin e plotë të Gazës” për të garantuar sigurinë e vendit dhe për të larguar Hamasin. “Ne duam të çlirojmë veten dhe popullin e Gazës”, u shpreh ai.

Shkruar nga Versus

 

Netanyahu vijon "presionin" për plan sigurie për kontrollin

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të ushtrojë presion ndaj kabinetit të sigurisë për të miratuar një plan të ri për marrjen e kontrollit të plotë të Rripit të Gazës, gjatë një takimi të parashikuar për pasditen e sotme.

Sipas mediave ndërkombëtare, vendimi potencial vjen mes frikërave në rritje për një përshkallëzim të ri ushtarak, i cili mund të rrezikojë edhe më tej civilët palestinezë, tashmë të zhvendosur dhe të ngjeshur në zona gjithnjë e më të kufizuara që prej fillimit të luftës pothuajse dy vjet më parë.

Ndërkohë, familjet e pengjeve izraelite që mbahen ende nga Hamasi në Gaza kanë shprehur shqetësime se një operacion i zgjeruar ushtarak do të rrezikonte jetën e rreth 20 robërve, për të cilët besohet se janë ende gjallë.

Në një intervistë për Fox News, Netanyahu deklaroi se Izraeli ka synim të marrë “kontrollin e plotë të Gazës” për të garantuar sigurinë e vendit dhe për të larguar Hamasin. “Ne duam të çlirojmë veten dhe popullin e Gazës”, u shpreh ai.

Mediat izraelite raportojnë se Netanyahu po kërkon mbështetje për zgjerimin e operacionit ushtarak dhe riokupimin e plotë të territorit të Gazës — një lëvizje që ka hasur rezistencë, përfshirë edhe nga krerët ushtarakë izraelitë.

Kjo përpjekje e re vjen në një moment kur bisedimet indirekte mes Izraelit dhe Hamasit për armëpushim dhe lirimin e pengjeve kanë dështuar, ndërsa grupet palestineze kanë publikuar video të dy pengjeve izraelite që shfaqen në gjendje të rëndë fizike.

Ndërkohë, aleatët ndërkombëtarë të Izraelit vazhdojnë të ushtrojnë presion për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të shmangur riokupimin e territorit palestinez, duke theksuar pasojat e mundshme humanitare dhe politike që do të rridhnin nga një veprim i tillë. /Versus.al

Poll