Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar mbrëmjen e djeshme se nuk ka ndërmend të ndryshojë kushtetutën e vendit për të patur mundësi që të kandidojë sërish për postin e kreut të shtetit.
Mediat serbe shkruajnë se Vuçiç e bëri deklaratën gjatë një takimi me kancelarin austriak Christian Stocker.
"Do të ketë zgjedhje. Unë vetë jam një veteran politik, nuk mund të kandidoj më për president, nuk më shkon ndërmend të ndryshoj Kushtetutën për të qenë në gjendje të kandidoj përsëri", tha Vuçiç në Vjenë.
Ai theksoi se nuk është diktatori siç e "pikturojnë" disa media, dhe karriera e tij presidenciale do të përfundojë pas një viti e pak muajsh.
Pas përfundimit të mandatit presidencial, Vuçiç tha se do të jetë pjesë e politikës serbe, por pa e specifikuar në cilin pozicion dëshiron të jetë.
Vuçiç ka qenë president i Serbisë që prej 1 qershorit të vitit 2017. Përpara kësaj, ai ishte kryeministër i vendit për më shumë se tre vjet. Në vitet 2012-2013, Vuçiç drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, dhe në vitet 1998-2000, ai drejtoi Ministrinë e Informacionit. Versus.al







