BOTA /

“Nuk kam asnjë pendesë”: Liderja venezueliane mbron vendimin për dhënien e "Nobelit" Trump

Maria Corina Machado vlerëson rolin e Trump në rrëzimin e Maduro, ndërsa Komiteti Nobel thekson se çmimi nuk mund të transferohet

Shkruar nga Versus

“Nuk kam asnjë pendesë”: Liderja venezueliane mbron

Liderja kryesore e opozitës në Venezuelë, Maria Corina Machado, ka deklaruar se “nuk ka asnjë pendesë” për vendimin e saj për t’i dhënë medaljen e Çmimit Nobel për Paqen presidentit amerikan Donald Trump.

Machado, fituese e Nobelit për vitin 2025, ia dorëzoi medaljen Trump gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, pak pasi SHBA ndërmorën një operacion ushtarak për kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro.

Duke folur në një konferencë në Madrid, ajo e cilësoi ndërhyrjen amerikane si një moment historik për vendin e saj: “Është diçka që ne venezuelianët nuk do ta harrojmë kurrë”.

Ajo shtoi se Trump ishte një nga të paktët liderë botërorë që “rrezikoi jetën e qytetarëve të vendit të tij për lirinë e Venezuelës”.

Vetë Trump e quajti gjestin një “shenjë të mrekullueshme respekti të ndërsjellë”, ndërsa më herët kishte shprehur dëshirën për të fituar vetë Çmimin Nobel për Paqen.

Megjithatë, Komiteti Norvegjez i Nobelit sqaroi menjëherë se çmimi është personal dhe nuk mund të transferohet, ndahet apo hiqet nga fituesi, pavarësisht gjesteve simbolike.

Machado u nderua me Nobelin për përpjekjet e saj në mbrojtje të demokracisë dhe për një tranzicion paqësor nga regjimi autoritar në Venezuelë.

Vendimi i saj për t’ia dhënë medaljen Trump ka ndezur debate ndërkombëtare, duke ndarë opinionin publik mes atyre që e shohin si një akt mirënjohjeje politike dhe atyre që e konsiderojnë një veprim kontrovers.

 

Poll