
Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi sot raportin tronditës të përhapjes së dhunës ndaj grave në mbarë botën, duke e quajtur një nga krizat më të thella dhe më pak të adresuara të të drejtave të njeriut.
OBSH raporton se rreth 840 milionë gra kanë përjetuar dhunë fizike apo seksuale në një moment të jetës së tyre, qoftë nga bashkëshorti i tyre ose persona të tjerë.
“Dhuna ndaj grave mbetet një nga krizat më të vazhdueshme dhe të paadresuara të të drejtave të njeriut në botë, me shumë pak përparim të bërë në dy dekada”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.
Sipas raportit në vetëm 12 muajt e fundit, 316 milionë gra, përkatësisht 11% e të gjitha grave mbi 15 vjeç, kanë qenë viktimë e dhunës nga partneri intim.
Organizata kërkoi nga shtetet të veprojnë me urgjencë për të forcuar mbrojtjen e grave, duke e cilësuar këtë fenomen “një plagë globale që prek çdo shtresë të shoqërisë” dhe që kërkon investim serioz në parandalim, mbështetje dhe drejtësi.
