
Shtetet e Bashkuara duan ta ndryshojnë mënyrën se si furnizohet me energji Ballkani Perëndimor, duke bërë një rrjet marrëveshjesh për importin e gazit të lëngshëm (LNG).
Qëllimi është të ulet varësia e rajonit nga Rusia dhe të forcohet korridori energjetik nga jugu drejt Evropës Qendrore.
Për këtë, janë planifikuar projekte në disa vende të rajonit - nga Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, deri në Kosovë dhe në Serbi.
Këto projekte përfshijnë gazsjellës të rinj, terminale për gazin e lëngshëm dhe termocentrale me gaz, dhe mbështeten politikisht dhe financiarisht nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Disa nga këto projekte janë tashmë në fazë ndërtimi ose në proces kontraktimi, ndërsa të tjerat janë ende në fazën e planifikimit.
Në përgjithësi, sistemi energjetik rajonal është duke u orientuar gradualisht drejt gazit natyror nga SHBA-ja, Azerbajxhani dhe Mesdheu.
Jonathan Stern, profesor në Institutin Oxford për Studime Energjetike, vlerëson se Evropa Juglindore tashmë ka zhvilluar rrugë alternative të furnizimit.
“Ekzistojnë terminale të LNG-së në Greqi dhe Kroaci, dhe Korridori Jugor i Gazit nga Azerbajxhani, së bashku me fushën rumune të gazit Neptun Deep në Detin e Zi, shfrytëzimi i së cilës pritet të fillojë vitin e ardhshëm dhe rezervat e së cilës vlerësohen në 100 miliardë metra kub”, thotë Stern për Radion Evropa e Lirë.
Fundi i varësisë së Bosnje dhe Hercegovinës nga Rusia
Bosnje dhe Hercegovina ishte në qendër të vëmendjes në muajt e fundit, për shkak të projektit të Ndërlidhjes Jugore të Gazit me Kroacinë, i cili do t’i siguronte entitetit të Federatës së Bosnjës qasje në terminalin e LNG-së në Kërk dhe furnizues alternativ të gazit.
Në të njëjtën kohë, autoritetet e entitetit tjetër të Bosnjës, Republika Sërpska, vazhdojnë të zhvillojnë lidhje të ndara gazi me Serbinë, duke përfshirë projektin e Ndërlidhjes Lindore nga Bijelina në Banja Llukë.
Për gati pesë dekada, Bosnje dhe Hercegovina ka qenë plotësisht e varur nga gazi rus, i cili i shkon nëpërmjet Rrjedhës Turke.
Ai përdoret kryesisht për ngrohje në Sarajevë dhe, krahasuar me Serbinë, Bosnja është një konsumatore e papërfillshme.
Marrëveshja midis Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kroacisë për lidhjen e gazsjellësit nga Dalmacia në Bosnjën qendrore, me degë në Hercegovinë dhe veriperëndim të vendit, u nënshkrua me pjesëmarrjen e sekretarit të Energjisë të SHBA-së, Chris Wright, në mujain prill në Dubrovnik.
Asaj i paraprinë disa muaj mbështetje zyrtare nga Uashingtoni për projektin, i cili u përshkrua si “strategjik për sigurinë energjetike të rajonit”.
Pjesa kroate e projektit drejtohet nga kompania shtetërore Plinacro, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë nga kompania private amerikane AAFS Infrastructure and Energy, drejtorët e së cilës janë pjesë e rrethit të ngushtë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Projekti shkaktoi kritika nga Komisioni Evropian dhe Komuniteti i Energjisë, anëtare e të cilit është Bosnje dhe Hercegovina, për shkak të një ligji të posaçëm (lex specialis) në Federatën e Bosnjës që përfshin një kompani private amerikane, si dhe çështjeve të pajtueshmërisë me rregullat e BE-së.
“Projekti duhet të zbatohet brenda një kuadri që është plotësisht në përputhje me acquis-in ligjor të Komunitetit të Energjisë dhe me parimet e politikës energjetike të BE-së”, tha për Radion Evropa e Lirë Hanna Claeson, zëdhënëse e Komunitetit Evropian të Energjisë, anëtare të të cilit janë vendet e BE-së, Bosnje dhe Hercegovina dhe vendet e tjera të rajonit.
Bosnje dhe Hercegovina konsumon deri në 250 milionë metra kub gaz në vit, ndërsa përmes gazsjellësit të ri parashikohet të transportohen rreth 1.5 miliard metra kub.
Për këtë arsye është duke u shqyrtuar edhe ndërtimi i termocentraleve me gaz, të cilat do të mund të furnizonin me energji elektrike rreth 400.000 familje.
Aktualisht, 80 për qind e energjisë elektrike prodhohet në termocentrale me qymyr, disa prej të cilave janë ndërtuar më shumë se 50 vjet më parë.
Tubacioni i planifikuar do të lidhet me atë ekzistues që vjen nga Serbia.
Stern, nga Instituti i Oksfordit për Studime të Energjisë, beson se tubacioni “është i rëndësishëm për Bosnje dhe Hercegovinën, por jo për rajonin më të gjerë”.
Ai, gjithashtu, shpreh dyshime për levërdinë e investimit prej rreth 1 miliard eurosh - sa vlerësohet ndërtimi i këtij gazsjellësi të ri.
“Kroacia nuk ka kapacitet të disponueshëm të LNG-së për transitin e gazit përmes Bosnje dhe Hercegovinës. Dhe, ku do të shkonte? Serbia tani mund ta marrë atë përmes Bullgarisë”, thotë Stern.
Partneriteti strategjik Serbi-SHBA
Serbia po zgjeron infrastrukturën e saj të gazit në përpjekje për të ruajtur rolin e saj si qendër rajonale e energjisë, duke hapur njëkohësisht hapësirë për LNG-në amerikane dhe investime të reja perëndimore në sektorin e energjisë.
Ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, nënshkroi një deklaratë të përbashkët me SHBA-në dhe disa vende të Evropës Lindore dhe Qendrore në një samit në Uashington në shkurt të këtij viti.
Shefi i ndërmarrjes Srbijagas, Dushan Bajatoviq, deklaroi më pas se Serbia “do të duhet të blejë gaz amerikan”, megjithëse sasitë dhe kontratat formale nuk janë përcaktuar ende.
Marrëveshja Strategjike e Energjisë e vitit 2024 me SHBA-në parashikon diversifikimin e burimeve, por ende nuk ka një kontratë formale për blerjen e LNG-së amerikane.
Gazi amerikan mund të mbërrijë nëpërmjet terminalit kroat në Kërk ose Aleksandropolisit grek, falë ndërlidhjeve të reja me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Serbia operon një rrjet prej rreth 2.500 kilometrash tubacionesh gazi dhe planifikon tubacione të reja, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, dhe po zgjeron objektin e magazinimit të Banatski Dvorit. REL

