Vullkani Etna në Siçili ka shpërthyer me intensitet të lartë, duke çuar në qiell një re hiri që arriti mbi 5,000 metra lartësi. Skena spektakolare u shoqërua me rrjedha të dendur llave dhe shpërthime piroklastike, ndërsa turistët u panikuan dhe u detyruan të largoheshin nga zonat përreth.
Autoritetet italiane dhe Qendra Evropiane për Monitorimin e Hirit Vullkanik (VAAC) lëshuan fillimisht një alarm "Code Red" për aviacionin, i cili më pas u ul në "Code Orange" pasi situata nisi të stabilizohej. Megjithatë, fluturimet në zonë janë ende në vëzhgim të vazhdueshëm për shkak të rrezikut që paraqet hiri vullkanik për avionët.
Pavarësisht pamjeve dramatike, aeroportet në Katania dhe Palermo mbetën funksionale, me vetëm disa vonesa të përkohshme.
Etna, vullkani më aktiv në Evropë, vazhdon të monitorohet nga afër nga Instituti Kombëtar Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), ndërkohë që krateri i saj është mbyllur për publikun deri në një njoftim të dytë. /Versus.al/







