
Vetëm tre ditë pas marrëveshjes në Skoci, teksa efektet dhe përmbajtja e saj po bëhen më të qarta, në kancelaritë evropiane po rritet një shqetësim fillestar: “Po paguajmë ne për rritjen e PBB-së amerikane, ndërsa fundosim tonën”.
Të dhënat më të fundit për produktin e brendshëm bruto të SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian kanë tronditur si ekspertët e Komisionit, ashtu edhe ata të qeverive kombëtare. Ekonomia amerikane po rritet ndjeshëm, ndërsa ajo e kontinentit të vjetër është në rënie. Dhe ky mund të jetë vetëm fillimi.
“Çfarë do të ndodhë kur tarifat e reja të hyjnë zyrtarisht në fuqi?”, është pyetja që përshkon tashmë zyrat e ndërtesës Berlaymont në Bruksel.
Përtej kritikave ndaj Von der Leyen-it, po përhapet gjithnjë e më shumë bindja se fjalët e Donald Trump-it (“Po e bëjmë Amerikën të pasurohet”) nuk janë të kota dhe se ai që po e paguan këtë pasurim është vetë BE-ja. Vështirësitë mund të thellohen edhe më shumë nëse një krizë e mundshme godet sektorë të veçantë industrialë.
Me çfarë burimesh mund të ndërhyhet për ndihmë? A do të zgjerohet më tej skema e ndihmave shtetërore, që favorizon vetëm vendet me hapësirë fiskale si Gjermania? Apo do të përdoren fondet evropiane? Por beteja që po zhvillohet për buxhetin e përbashkët tregon se është shumë e vështirë të gjenden fonde të tjera “të përbashkëta”.
Për më tepër, e vetmja pikë pozitive e marrëveshjes që u vlerësua nga të 27 vendet anëtare ishte stabiliteti i marrëdhënieve transatlantike. Por deri tani, kostot nuk po e justifikojnë “blerjen” e paqes tregtare. Pikat e shumta të paqarta në marrëveshje nuk garantojnë qëndrueshmëri në afatgjatë.
Dhe dyshimet se Trump mund të ndryshojë sërish kurs në muajt e ardhshëm po bëhen gjithnjë e më të forta. Në këtë rast, sakrificat nuk do të shoqëroheshin me përfitime. Jo më kot pezullimi i kundërmasave evropiane do të zgjasë vetëm gjashtë muaj, një mënyrë për të thënë: jemi gati të reagojmë. Madje, pezullimi mund të tërhiqet në çdo moment.
Ndërkohë, taksa për shërbimet digjitale, që dukej se ishte hequr nga tryeza e bisedimeve, është rikthyer papritur. Emisarët e BE-së nuk kanë besim dhe nuk dinë se çfarë do të bëjë realisht Trump. Pa përmendur që Franca ka vendosur në shënjestër vetë gjigantët teknologjikë amerikanë, në përpjekje për të vendosur një reciprocitet minimal.
Së fundmi, Komisioni u ngut të publikonte një njoftim për të treguar se angazhimi për të blerë energji në vlerën 750 miliardë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme është i bazuar dhe real. Një shtrirje dore ndaj Uashingtonit, për të parandaluar veprime të papritura nga ana e presidentit amerikan apo të paktën për të mos i dhënë pretekste për të thënë se Evropa nuk po respekton marrëveshjen.
Pra, kemi të bëjmë me një kontekst në të cilin presidenca e Komisionit po humbet forcë. Nuk bëhet më fjalë vetëm për “izolim”, por për një rënie të autoritetit. Stafi i Von der Leyen-it tashmë po pyet veten se si të ndalet kjo rrëshqitje.
Duke e ditur se partitë e shumicës së saj tradicionale këtë herë nuk do të ulin kokën, dhe se e djathta, e cila deri më tani ka qenë një aleat i dobishëm në marrëdhëniet me Uashingtonin, nuk është më një faktor stabiliteti. Socialistët dhe liberalët tashmë po përgatiten për përplasje.
Të gjithë këta faktorë tregojnë se është e nevojshme një ndryshim. Por pyetja thelbësore mbetet: Çfarë ndryshimi? Ashtu siç mbetet pezull e gjithë pasiguria që po përjeton Bashkimi Evropian./ La Repubblica







