BOTA /

"Të pushkatohet Vjosa Osmani", Prokuroria Speciale nis hetimet për kërcënimet ndaj presidentes

Një personazh në rrjetet sociale, e ka cilësuar si "tradhti" dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit pasi nuk u arrit të zgjidhej presidenti i ri.

Shkruar nga Versus
"Të pushkatohet Vjosa Osmani", Prokuroria Speciale nis hetimet
Vjosa Osmani

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me kërcënimet ndaj presidentes Vjosa Osmani. Nëpërmjet një njoftimi, Prokuroria bën të ditur se hetimet nisën për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës”.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik, se sot ka iniciuar rast penal në lidhje me kërcënimet ndaj presidentes së Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani-Sadriu, në drejtim të veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës, nga neni 121 lidhur me nenin 119 paragrafi 1 , nënparagrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu Prokuroria Speciale tha se “ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në hetimin e plotë të këtij rasti, me qëllim të sigurisë së rendit juridik të Republikës së Kosovës, të zyrtarëve dhe qytetarëve të saj”.

Halil Geci, një personazh shumë aktiv në rrjetet sociale, e ka përshkruar si “tradhti” dekretin e presidentes Vjosa Osmani të premten për ta shpërndarë Kuvendin, pasi Kuvendi nuk arriti ta zgjidhte Presidentin e ri, sipas afatit kushtetues.

Presidenca, përmes një reagimi sot, e dënoi ashpër “gjuhën ku bëhet thirrje për pushkatim të Presidentes Osmani”.

“Kur në debat politik përdoret fjala ‘pushkatim’, kjo nuk ka të bëjë me kritikë apo opinion, por me një gjuhë të rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike”, thuhet mes të tjerash në reagim.

Presidenca tha se “ata që sot flasin për ‘tradhti’ dhe ‘pushkatim’ dhe shtyjnë përpara shpifjet e konspiracionet, në fakt janë duke bërë thirrje për dhunë e vrasje politike”.

Ndërkohë lidhur me ngjarjen, organeve kompetente të rendit dhe të drejtësisë iu bë thirrje që “të merren urgjentisht me këto raste dhe ta trajtojnë në përputhje me ligjin”. Versus.al

Poll